Ana sot është nënë e një djali 8 vjeç dhe rrëfen historinë e dhimbshme të jetës së saj.
Vetë ajo është rritur në jetimore. “Jam rritur jetime që e vogël, xhaxhai më ka dërguar në jetimore. Kam lindur në Tivar të Malit të Zi. Pastaj më mori gjyshja deri në moshën 13-vjeçare, kur ajo vdiq”.
Më pas, ajo njohu një djalë, me të cilin u dashurua. “U lidha me një djalë, rreth moshën 14-vjeçare, kemi ndenjur 4 vite. Kur isha 19 vjeçe, ngela shtatzënë. E mora vesh kur isha 4 muajshe, nuk e dija. Kur i thashë të dashurit, nuk e priti mirë, pastaj tha nëse e lindim ta çojmë në jetimore dhe unë nuk doja ta bëja, se jam rritur vetë në jetimore. Përpiqej të më jepte helme, ilaçe, ujë më sodë, bukë të prishur që të vdiste bebja. Edhe të afërmit e tij donin të abortoja. Mjeku tha që nuk mund ta hiqja se ishte formuar fëmija. Nëse do abortoja, rrezikoja të vdisja.
Ai ishte 18 vjeç, unë 19. Mendoj që atë kohë ka pasur një tjetër, e kam parë në “Facebook”. Dola në mes të katër rrrugëve, më mori vëllai dhe mundohej që të ndihmonte. Por, nuk kisha as shtëpi, asgjë. Çunin jam munduar ta mbaj mirë, vetë nuk kam ngrënë. Djali im tani është 8 vjeçe”. Me lot në sy, Ana rrëfen se djali ka dëgjuar se i ati e ka refuzuar. “Më ka dëgjuar duke ia thënë dikujt tjetër në telefon, më tha mami, babi s’më ka dashur asnjëherë. Që nga ajo ditë, ndihet shumë keq”.
Ajo tregon, se babai i fëmijës, asnjëherë nuk është interesuar për të. “Nuk më ka shkruar asnjëherë. Unë e kam kërkuar në muajin e nëntë të lindjes dhe nuk më ka kthyer përgjigje. Në pasaportë, djali nuk ka atësi”.
Përveç problemeve ekonomike, Ana thotë se ka probleme, pasi nuk ka nënshtetësi shqiptare. “Kam shkuar në Kosovë, në Mal të Zi, por meqë nuk kam as letra asgjë, nuk gjeja punë. Kam bërë çdo punë që më është ofruar. Kam frikë të shkoj në Mal të Zi, kam frikë nga ai. Këtu në Shqipëri më kanë thënë që duhet të ketë një arsye të fortë pse të qëndroj këtu”.
Aktualisht jeton me të birin në zonë e Astirit, në Tiranë, por shprehet se nuk ka mundësi të paguajë shtëpi dhe kërkon mbështetje, nga kush do që dëshiron ta ndihmojë. /tch