Anxhela ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” motrën e bashkëshortit, pra kunatën e saj, Sulltanën. Në insertin prezantues të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo u shpreh se “nuk është martuar me familjen e bashkëshortit”.
Në versionin e saj të historisë, Anxhela thotë se ardhja e kunatës në shtëpi i ka sjellë një problem shumë të rëndë në familje.
Sulltana e ka lënë familjen e bashkëshortit i cili jeton në Maqedoninë e Veriut, për shkak të dhunës sistematike. Por ditën e largimit të saj, bashkëshorti ka hyrë në shtëpinë e familjes së Anxhelës dhe aty ka ndodhur një përleshje mes familjarëve teksa e pranishme ka qenë edhe vajza e saj 2 vjeçe.
Anxhela: Më datë 3 Tetor zonja është paraqitur në familjen time.
Eni Çobani: Më 3 Tetor të këtij muaji?
Anxhela: Po. Është paraqitur në familjen time duke thënë se ka pasur dhunë psikologjike, fizike nga bashkëshorti i saj. Atë natë ka ndenjur me ne. Të nesërmen ka shkuar në komisariatin e Kamzës për të raportuar. Ata nuk e kanë marrë për bazë, nuk e di unë, japin vetë ato dëshminë e tyre dhe ka ardhur prapë është kthyer te familja ime.
Eni Çobani: Pra familja juaj, ti jeton me prindërit e zonjës Sulltana, me vjehrrin dhe me vjehrrën, bashkë me bashkëshortin tuaj që është vëllai i Sulltanës dhe vajzën 2 vjeçe e 7 muaj.
Anxhela: Është kthyer përsëri në familjen time ku rreth orës 7:30-7:40 bashkëshorti i saj, Sulejman Pajaziti bashkë me të birin janë futur me dhunë në familjen time, që kjo gjë nuk lejohet.
Eni Çobani: Anxhela, unë e di, por ti nuk duhet të më sillje këtu.
Anxhela: Unë duhet të të sjell diku, të mbështetem diku sepse unë kam vajzën në rrugë.
Eni Çobani: Edhe unë duhet të mbështetem diku.
Anxhela: Patjetër, por jo tek unë sepse mua mund të më ishte vrarë vajza, mund të isha vrarë vetë, mund të më ishte vrarë burri, mund të shkatërrohej familja. Unë nuk kam asnjë lloj detyrimi ndaj bashkëshortit tuaj. Ai mund të vijë ta zgjidhë me institucion, mund të drejtohet në polici, jo tek unë.
Sulltana: Ajo derë është për mua, vetëm dera e vëllait dhe ka qenë për plot 23 vite, zonja Eni që unë vij në atë familje.
Eni Çobani: Po pse, s’ke ndenjur me burrin, ke qëndruar me babain?
Sulltana: Sa kam ndenjur me burrin, çfarë ka folur kunati, sa më ka rrahur kunata, kunati, vjehrra, mua më kanë nxjerrë, më kanë prurë këtu.
Eni Çobani: Si, je rrahur në mënyrë sistematike se është shumë e rëndë kjo?
Sulltana: Sistematike dhe psiqike, të dyja.
E ngashëryer, Sulltana shton se konflikti ka ardhur për shkak se ajo ka marrë me vete edhe të bijën e mitur, pa miratimin e bashkëshortit.
Anxhela: Po këto probleme mos vallë është dashur t’i kapë që në fillim dhe të mos agravonte situata? Sepse unë nuk kam për borxh domethënë… unë jam vajzë e re, duhet të jem e fokusuar te fëmija dhe te jeta përpara, jo te këto gjëra. Nuk më takojnë mua. Ku i pati prindërit, ku i pati motrat, ku janë njerëzit e saj?
Eni Çobani: Është shumë e vërtetë kjo.
Anxhela: Pse duhet të përfshihem unë këtu? Pse duhet vajza ime 2 vjeçe e gjysmë të kalojë në trauma, që tani të shikojë gjëra që s’janë të drejta?/tvklan.al