Çdo detaj i incidentit dramatik në xhirimet e filmit “Rust”, nga ku mbeti e vrarë një kineaste dhe u plagos një teknik tjetër janë me një rëndësi të madhe për autoritetet.
Por në fakt duket se ka më shumë pyetje sesa përgjigje… Pra, çfarë ndodhi saktësisht në atë ditë tragjike?
Bazuar në urdhrin e kërkimit në vendngjarje dhe thirrjeve për veprim të menjëhershëm të enjten e kaluar, skena e incidentit që tronditi jo vetëm SHBA-të por edhe botën në përgjithësi po ndërtohet tërësisht, duke pasur parasysh personalitetin e shquar të aktorit Alec Baldwin, i cili vrau pa dashjen një nënë të re pasi nuk e dinte se arma që kishte në duar kishte plumba të vërtetë.
Xhirimet e filmit u zhvilluan të enjten e kaluar në Bonanza Creek Ranch, jashtë Santa Fe, New Mexico. Në film, Baldwin luan rolin e personi të jashtëligjshëm i cili me nipin e tij 13-vjeçar, përpiqet të shmangë arrestimin. Ambienti është përshtatur me skenën e viteve 1880 në Kansas.
Xhirimet zakonisht fillojnë në orën 6.30 të mëngjesit, megjithatë të enjten e kaluar kishte një vonesë. Një grup xhirimi prej gjashtë anëtarësh dha dorëheqjen duke u ankuar për pagesën dhe kushtet e akomodimit të tyre, kështu që erdhi një ekip i ri. Por pavarësisht vonesës, gjithçka duket se po shkonte mirë, siç ka dëshmuar të paktën regjisori Joel Souza në policinë e Santa Fe. Baldwin dhe aktorët e tjerë filluan të bënin prova përpara një kishe prej druri, ndaluan për të ngrënë drekë dhe u kthyen sërish në shesh xhirim.
I veshur me veshje perëndimore të shekullit të 19-të, Baldwin ishte me Souza, regjisoren Halina Hutchins dhe disa të tjerë në shesh xhirim. U vendos një kamera, por për shkak se po zhvilloheshin prova, nuk u regjistrua asgjë. Ndihmës drejtori Dave Halls solli një armë nga një karrocë jashtë kishës dhe bërtet “armë e ftohtë!”, që do të thotë një armë bosh. Ai ia jep Balduinit, i cili ulet përballë kamerës dhe ekuipazhit.
Aktori amerikan ka treguar momentin kur nxori armën nga këllëfi.
Ishte ora 2 e 10 e mesditës dhe Souza po shikonte skenën përmes kamerës dhe ekraneve anash, siç ka dëshmuar në polici, kur dëgjon “diçka që i tingëlloi si kamxhik dhe më pas një zhurmë e fortë”. Hutchins zmbrapset dhe bie në dysheme, duke thënë se nuk i ndjente këmbët. Souza, duke qëndruar pranë saj, sheh supin e saj të mbuluar nga gjaku.
Papritur, kaos!
Anëtarët e ekuipazhit po vraponin të frikësuar. Një mjek përpiqet të ndalojë gjakderdhjen nga plaga e Hutchins kur të tjerët nxitojnë për të kërkuar ndihmën e shpejtë. Dy persona u qëlluan aksidentalisht me pistoletë, kemi nevojë për ndihmë të menjëhershme”, tha ajo. “Janë qëlluar një regjisor dhe një kameramane”.
Gruaja vazhdon të shajë dikë për sigurinë e armëve në vendngjarje. Më pas ka një tjetër telefonatë në Direct Action, nga një njeri me një rol të papërcaktuar në skenë. Ai bën me dije se tashmë është nisur një ambulancë, ndërsa i ofron edhe udhëzime se si të ndalojë gjakderdhjen e të lënduarve.
Së shpejti, oficerët e policisë mbërrijnë në vendngjarje. Hutchins, 42 vjeç, u transportua me helikopter në një spital 90 milje (90 km) larg në Albuquerque, ku ajo u shpall e vdekur. I shkatërruar, Baldwin ndërron rrobat dhe ua jep rrobat e lyera me gjak dhe armën autoriteteve.
Hetuesit gjetën dy armë të tjera dhe disa municione.
Detektivët e policisë mësuan se personi që kujdesej për armët Hannah Gutierrez i kishte dorëzuar tre pistoleta Hols, ndihmës drejtorit, në një karrocë, ai mori njërën dhe ia dha Baldwin. Souza u tha hetuesve se mendonte se arma ishte bosh dhe e sigurt. Hetuesit po kërkojnë një urdhër për sekuestrimin e më shumë sendeve si provë, përfshirë armë dhe municione, si dhe kamera, karta memorie dhe kompjuterë.
Industria e filmit tani është në zi për Halina Hutchins, e cila konsiderohej një talent në rritje i Hollywood. Baldwin ndihet i shkatërruar. Ekipi i prodhimit të filmit thotë se xhirimet e “Rust” janë pezulluar, të paktën deri në përfundimin e hetimeve për ngjarjen tragjike./abcnews.al