Gripi i pulave, ish-drejtori i AKU-së: Epidemia më e rëndë ndër vite, 1.5 milionë shpendë të ngordhura

Ish-drejtori i AKU Isuf Shehu i ftuar në Radarin Informativ tha se epidemia e gripit të shpendëve ka prekur të gjithë vendin. Sipas tij kjo është një situatë ku duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Duke bërë një vlerësim të situatës Shehu tha se ky është rasti më i rëndë i epidemisë te shpendët.

“Në gjykimin tim kjo është gjendje e jashtëzakonshme është rast epidemie që prek kafshët dhe sigurinë e shëndetin e njerëzve. Ne duhet të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Gjithë tregu është dëmtuar. Ky është rasti më i rëndë që kemi pasur ndër vite”.

Sipas tij reagimi nga ana e institucioneve përgjegjëse për gripin e shpendëve ka qenë i vonuar. Shehu tha se janë rreth 1.5 milionë shpendë të infektuar që kanë ngordhur.

Sot jemi në një situatë edhe më të rëndë. Faktikisht ka pasur një njoftim që në 6 mars ka pasur identifikim të kafshëve të egra që janë mbartës. Ky fakt s’u mor seriozisht dhe nuk shërbeu si alert që mbarështruesit e shpendëve të merrnin masa. Edhe në 16 mars edhe ministria bëri njoftim se nuk ishte identifikuar asnjë rast me grip shpendësh. Institucionet në varësi të ministrisë nuk kishte dijeni dhe informacion në lidhje me këtë fakt. Veprimet u morën pas kësaj date. Në pikëpamjen time ka qenë moment shumë i vonë për të ndërmarrë veprime.

Janë 1.5 milionë shpendë që janë infektuar dhe kanë ngordhur. Kemi të bëjmë me 1.5 milionë vakte të konsumatorit shqiptar. Ka më pak profesionistë të fushës së veterinarisë. Na mungojnë ekspertët në terren dhe që duhet të ishin përfshirë në këto situata. Të gjitha këto veprime janë menaxhim krize jo para menaxhim krize. Fakti është se jemi duke përjetuar dëme kolosale sepse është përhapur”.

Ai foli edhe për hetimet e nisura nga prokuroria e Durrësit. “Ne i referohemi vetëm isuv. Vendet tona kufitare e kishin identifikuar, kurse ne jo. Kjo duhet të kishte mjaftuar që ne të kishim vënë alert. Kjo është katastrofë. Në gjykimin tim është pikërisht vënia në rrezik e jetës së shëndetit të publikut. Sepse janë nxjerrë këto produkte në treg”./abcnews.al

Shtuar 23.03.2022 22:28