Greqia i ka dërguar një kërkesë zyrtare Shteteve të Bashkuara për blerjen e 20 avionëve luftarakë F-35 nga kompania amerikane Lockheed Martin. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili shprehu nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit mes tensioneve të vazhdueshme me Turqinë fqinje.
“Pjesë e kësaj procedure është dërgimi i kërkesës zyrtare, që ka ndodhur ditët e fundit,” tha Mitsotakis, duke theksuar se ky ishte fillimi i një procesi të gjatë dhe se Athina vlerësoi se nuk do të merrte dorëzimin e avionit përpara vitit 2027 ose 2028.
Zyrtarët grekë thanë se një skuadron do të përbëhet nga 20 avionë. Greqia ka porositur tashmë 24 avionë luftarakë Rafale të prodhimit francez – gjashtë të rinj dhe 18 të tjerë të përdorur më parë në shërbim me Forcën Ajrore Franceze, si dhe tre fregata franceze. Fqinjët dhe aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet territoriale në Detin Egje dhe të drejtat e eksplorimit të hidrokarbureve në Mesdheun lindor.
Përplasjet e fundit janë fokusuar në ishujt grekë pranë brigjeve të Turqisë, me Ankaranë që akuzon Athinën se mban një prani ushtarake në ishuj në shkelje të traktateve. Greqia pohon se po vepron sipas ligjit ndërkombëtar dhe po mbron ishujt përballë armiqësisë turke./REL