Një grabitje e armatosur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje. I vdekur ka mbetur pronari i lokalit, meqenëse s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj.
“Mund të konfirmoj se një person i plagosur, që kishte ardhur për trajtim, ka ndërruar jetë. Meqë tash ka ndodhur e gjithë ngjarja, nuk mund të deklaroj informacione tjera”, ka deklaruar mbrëmë Mustafa-Hakaj.
Detaje për grabitjen ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai ka thënë se nga hetimet fillestare bëhet e ditur se dy persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armës kanë tentuar të grabitin viktimën i cili ndodhej në dyqanin e tije, si pasoj e të shtënave nga të dyshuarit në drejtim të viktimes, viktima ka mbetur i plagosur.
Dy të dyshuarit janë arrestuar.
“Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se dy persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armës kanë tentuar të grabitin viktimën i cili ndodhej në dyqanin e tij, si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit në drejtim të viktimes, viktima ka mbetur i plagosur. Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është sekuestruar një armë”, ka thënë Zahiti./ Express