Procesi gjyqësor ndaj Erjon Alibejt, i akuzuar si organizator i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Rigers Runajt në Elbasan është futur në ngërç.
Kjo situatë ka ardhur pas dëshmisë së Henrik Hoxhajt, bashkëpunëtorit të drejtësisë, i arrestuar së bashku me Nuredin Dumanin.
Kujtojmë se gjatë seancës së të hënës, avokati i një tjetër të penduari, Xhuliano Hoxhës, ka kërkuar të administrohet dëshmia e Henrik Hoxhajt që ka treguar se vrasjen e Ramazanit e ka kryer Skerdi Tase dhe ai ka luajtur rolin e shoferit.
Sipas Hoxhajt, vrasja është organizuar nga Nuredin Dumani, ndërsa urdhërues ka qenë Erjon Alibej.
Por ndryshe pretendon Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha që kanë treguar se vrasjen e kanë kryer ata me porosi të Alibejt.
Seanca e së hënës është shtyrë dhe do të mbahet më 6 shtator, për t’i lënë kohë avokatëve të administrohet dëshmia e Henrik Hoxhajt.
Vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt u zbardhën nga Prokuroria e Elbasanit pas arrestimit të Euglen Halilit dhe Xhuliano Hoxhës, që pasi kanë bashkëpunuar me drejtësinë kanë deklaruar se kanë kryer ata vrasjen e Ramazanit dhe me pas të Regis Runajt me porosi të Alibejt.
Më pas dosja u transferua në SPAK dhe sipas hetuesve pas arrestimit të Erion Alibejt, janë siguruar prova se ai ishte porositësi i vrasjes së Regis Runajt dhe Emiljano Ramazanit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej në fund të dhjetorit të 2018-tës./Abcnews.al/