Gjykata “vulos” sot fatin e protestuesve në PD, çfarë kërkon prokuroria

Ditën e sotme pritet të dalin para trupës gjykuese 34 protestuesit e arrestuar gjatë protestës së Sali Berishës në selinë blu.

Sipas burimeve për albeu.com, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest në shtëpi” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës në fjalë.

Po ashtu, mësohet se për 30 të tjerë është kërkuar “detyrim paraqitjeje”. Në bilancin e prokurorisë nënvizohet se të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “shkatërrim prone”, “prishja e qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, për të verifikuar personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë.

Prokuroria është shprehur se do të hetojë e verifikojë edhe rreth llojit të lëndës që është hedhur nga brenda selisë së PD drejt protestuesve./albeu.com/


Shtuar 12.01.2022 09:59