Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro marrëveshjes me Italinë për emigrantët.
Me vendimin e fundit të Kushtetueses, tashmë i hapet rruga për ratifikim Kuvendit dhe Presidentit.
“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, njofton Gjykata Kushtetuese.
Më 6 nëntor në Romë, krerët e dy qeverive, asaj shqiptare dhe italiane, Rama dhe Meloni firmosën një Protokoll për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Qëllimi i marrëveshjes është ngritja e një kampi refugjatësh në Lezhë, ku Italia të dërgojë 36,000 emigrantë të paligjshëm në vit. Aty emigrantët do të presin përgjigjet e aplikimit për azil. Marrëveshja kërkon që 3000 emigrantët që priten në një muaj, të jenë të gjithë burra.
Marrëveshja në Gjykatën Kushtetuese
Miratimi i këtij protokolli në parlament, që pritej të kalonte vetëm me votat e mazhorancës, u ndalua nga Gjykata Kushtetuese në 6 dhjetor 2023, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar të saj (ditën e sotme, 19 shkurt 2024). Kjo pasi në Gjykatën Kushtetuese u depozitua kallëzim nga 30 deputetë të opozitës, për antikushtetutshmëri të kësaj marrëveshjeje.
Në 19 Janar Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e parë për shqyrtimin e marrëveshjes, tashmë të njohur si “Rama – Meloni” por nuk doli me një vendim. Ajo i kërkoi qeverisë shqiptare dokumentin ku është bazuar kjo marrëveshje, Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes republikës së Shqipërisë dhe asaj të Iltaisë.
Marrëveshja në fjalë parashikon ngritjen e dy qendrave pritëse, në Shëngjin dhe Gjadër, për emigrantët e paligjshëm të gjinisë mashkull që kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane. Në qendrën e parë pritet të bëhet verifikimi i të dhënave personale të emigrantëve, ndërsa në të dytën, ata duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azil. Të dy qendrat parashikohet të jenë nën juridiksionin italian dhe ndërtimi dhe funksionimi i tyre do mbulohet financiarisht nga pala italiane./albeu.com