Gjykata e Posaçme pushon çështjen ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu

Gjykata e Posaçme, pranoi kërkesën e SPAK për të pushuar çështjen penale ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.

Kryebashkiaku u hetua për “shpërdorim të detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se prej tij nuk ishin konsumuar elementë të veprës penale.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Etleva Deda.

Kryebashkiaku Ndreu, u kallëzua në Strukturën e Posaçme nga Partia Demokratike në Lezhë, në vitin 2023 në lidhje me trotuarin në rrugën Lezhë-Shëngjin, në lagjen Xhenjo.

Në denoncimin e bërë nga PD, thuhet se aksi rrugor është në varësi të ARRSH dhe bashkia e Lezhës nuk kishte të drejtë të kryente punime.

Partia Demokratike, e akuzonte Ndreun për dhënien e këtij tenderi në kohë fushate. Po ashtu, u kallëzuan edhe zyrtarë të tjerë të bashkisë, që ishin marrë me procedurat e tenderit për ndërtimin e rrugës.


Shtuar 7.03.2025 10:07