Gjermania vuan mungesën e fuqisë punëtore, më shumë se 630 mijë vende pune bosh gjatë 2022

Në Gjermani, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, ka arritur në nivel rekord më 2022, sipas një studimi të ri.

Më shumë se 630.000 vende të punës për punëtorë të kualifikuar, nuk kanë mundur të plotësohen vitin e kaluar, për shkak se të papunët nuk kanë qenë të kualifikuar për kërkesat, ka thënë Qendra e Kompetencës për Punëtorë të Kualifikuar, e cila funksionon në kuadër të Institutit Ekonomik Gjerman.

Ky realitet, sipas institutit, ka shënuar hendekun më të madh në ofertën dhe kërkesën për punë, prej kur kanë nisur të bëhen analiza të tilla më 2010. Sektorët e shëndetësisë, shërbimeve sociale dhe edukimit, janë prekur më së keqi, bashkë me sektorët e ndërtimit, arkitekturës, dhe ndërtimit të teknologjisë. Sipas studimit, gjashtë prej 10 vendeve të lira të punës në këta sektorë, nuk kanë arritur të plotësohen.

Gjermania prezanton draft-reformat për imigracion, me fokus te punëtorët nga Ballkani

Mungesë më e madhe, sesa zakonisht, është vërejtur edhe në sektorin e teknologjisë informative, në shkenca natyrore dhe gjeografi. Mungesa e fuqisë punëtorë të kualifikuar është vërejtur edhe në sektorët e shërbimeve komerciale, në tregti, shitje, hotelieri e turizëm, pasi tre në 10 vende të punës, kanë mbetur të paplotësuara vitin e kaluar.

Në përgjithësi, sa më shumë kualifikime që janë kërkuar për një punë, apo sektor, aq më i vështirë ka qenë punësimi. Punëtorët kanë thënë se kanë vërejtur mungesë të të rinjve të diplomuar në sektorët e teknologjisë informative, inxhinierisë elektrike dhe planifikimeve hapësinore.

Mungesa e fuqisë punëtorë të kualifikuar, është thënë të jetë vërejtur për kohë të gjatë në tregun e Gjermanisë, dhe besohet se pranimi i migrantëve, është i nevojshëm për të adresuar këtë problem.

Kushtet e këqija apo emigrimi, çfarë po i lë bizneset pa punëtorë?

“Neve na duhen migrantë, si për punë fizike, ashtu edhe për punë të kualifikuar”, ka thënë shefja e Agjencisë për Papunësi, Andrea Nahles/REL


Shtuar 16.04.2023 18:15