Gazetar në grupet kriminale në Shqipëri? Qyno zbulon dëshminë dhe u jep fund dyshimeve

Gazetari Elton Qyno ka vendosur të shuajë zërat se një gazetarë i kronikës së zezë në Shqipëri ishte i përfshirë në trafikun e drogës në krumin kriminal të shkatërruar në kuadër të oparacionit “Shpirti”.

Në një shkrim të gjatë dhe sqarues në profilin e tij në Facebook, Qyno shkruan se për ditë me radhë ka marrë dhjetëra telefonata nga persona që ishin të interesuar për të ditur emrin e gazetarit të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Sipas zërave, gazetari kishte marrë disa mijëra euro nga grupet kriminale për të mos denoncuar në media parcelat e tyre me kanabis, por të kundërshtarëve të tyre.

Në dëshminë që ai vetë ka siguruar nga i penduari i grupit të kryesuar nga Ilir Duçkollari, (Daja), Mariglen Shusha, Qyno shkruan se ai nuk flet për asnjë gazetar, por emra zyrtarësh e ish-zyrtarësh të tjerë që deri më tani nuk kanë dalë në dritë.

SHKRIMI I PLOTË NGA ELTON QYNO:

Gazetari i dosjes “Shpirti”, prerja me gërshërë e rrëfimit të penditos, standardi i provave, dhe 1 dosje me emër burgu me Nr.313.  Dalja në skenë e operacionit “SHPIRTI”, solli dhe një deklaratë pompoze në Tv, e cila gjeti mjaft përhapje në rrjet, se në dëshminë e bashkëpuntorit të Drejtësisë (Penditos), kishte dalë dhe një gazetar i Kronikës së Zezë.

Sipas lajmit dhe analizës së gazetarit në studio, gazetari i famshëm i kronikës së Zezë, kishte marë lekë për të goditur grupin rival të Ilir Duçkollarin, me qëllim denoncimi i parcelave të drogës në media. Deklarata u bë dhe lajmi mori dhenë. Një gazetar i famshëm ka rënë në takamin e SPAK-ut.

Dhe me këtë situatë që është bërë tani, SPAK-u po të kapi, ta hapi. Atë ditë s’më ka pushuar telefoni. “…Ore kush është ky gazetar…”-njëri, “…kush është një gazetar… tjetri…”-më pyeste dynjaja. “…Ore ikni se po ha bukë, ikni se s’ka gazetar, e nëse ka, gazetari informacion merr ngado, bilbil fryrësa ka dhe nga krimi jo vetëm në administratë…mjafton që gazetari ta verifikojë vërtetësinë e informacionit dhe është në rregull”-ja ktheja unë. “…Jo na thuaj gazetarin se ti duhet ta dish diçka, se ke punuar aty gjithë atë kohë tek media që e publikoi…”, më drejtoheshin telefonuesit.

Pastaj bënin disi një pauzë 3 apo 4 sekondëshe dhe më pyesnin, “…ore se mos je ti që ke dalë në përgjime ose ndonjë Tan Hoxha…”? Ueee nuk mbaronte interesi. “…edhe mundet, çfarë s’bën vaki, vjen dita dhe momenti dhe del në ndonjë vend. Mos prisni që të dal në ndonjë përgjim me Dua Lipën. Unë nuk mbuloj kulturën, Shoë Biz, por Kronikën e Zezë në Shqipëri…” “…rini pa merak se nuk ka gazetar…”- mo shoku.

E nëse ka dalë në përgjim apo në ndonjë dëshmi pendito, s’besoj se ka ndonjë të keqe dhe përgjegjësi penale, gazetari.Edhe mua më doli emri tek dosja e “Shullazit”, se kisha takuar penditon, Ylvi Beqja, por ku ishte gabimi im këtu??? Unë punën bëra. Po të mos takoj njeri, do shkojë do e takojë dikush tjetër dhe do publikojë lajmin…”- i thashë.

Mirëpo lajmi se gazetari, i lidhur me krimin, doli dhe u lançua aq fort sa u përhap në gjithë kasabanë e mediave online, e s’kishte njeri këllqe ta kundërshtonte pastaj. “…Mbajeni, e ka thënë i penduari, e ka thënë dhe televizori…”-thoshte dynjaja. Lere pastaj të shikoje komentet në youtube e aplikacione sociale. Aty kishte plasur kuici se kush e gjente emrin e gazetarit, që kishte bashkëpunuar me grupet kriminale të Vlorës. “…Është Fevziu tullaci…”, thonte njëri. Mandej dikush shkruante “…është dyshja Qyno-Tan Hoxha…”. “…Klod Lala është e sigurt…”, ja kishte futur një tjetër.

Komentet vijonin me selektimin e emrit të Andi Bushatit, deri tek Alfred Peza, që sot e kësaj dite nuk është më gazetar, por anëtar aktiv i Partisë Sociliste. Kur s’ke çfarë bën dhe të marin dhe njerëz në telefon, filloi e më kapi një e qeshur. Qesha sepse rrëfimin e bashkëpuntorit të drejtësisë e kam prej disa kohësh dhe e lexova dy herë. Madje një pjesë të këtij rrëfimi e botova dhe tek televizioni “Ora Neës”. Por çuditërisht nuk gjeta asnjë fjali që të flitej për gazetar, dhe jo më për emra të përveçëm. Po ku të ketë dalë, ky bimbash gazetar?-thashe me vete. Thjesht për ta ditur kush është, se nuk më interesonte të publikoja emrin për skup. E më kapi dalldia edhe mua, shiko andej e lexo këndej.

Hap dosjen italiane me përgjime të operacionit “SHEFI”, ku u arrestuan për herë të parë klani i Ilir Duçkollarit në Bari, përfshirë dhe 4 penditot, por lesh s’dilte as aty gazetari. E në fund thashë, “…varja nuk ja vlen…”. Është njësoj si ti thuash gazetarit Kolumbian, që gjeti një muaj pas arratisjes dhe intervistoi mbretin e kokainës Pablo Eskobar, se ti gazetar je i lidhur me kartelin e Medelinit. Ose karteli të ka paguar ty, për t’ja futur atyre të “Calit”, se Pablo s’kishte këllqe t’ia fuste vetë. Ose është njësoj si ti thuash gazetarit Amerikan që intervistoi Bin Laden në perandorinë e tij të Al-Kaedës në Malet e Afganistanit, se je terrorist dhe bën lojën e terroristëve.

Tani vetëm nëse emrin e gazetarit, ta kenë përmendur tre bashkëpuntorët e tjerë të prokurorisë, të cilëve unë s’ja kam dëshminë, pasi kam mundur të siguroj vetëm të Mariglen Shushës ose siç njihet ndryshe në Vlorë me noflkën “Francezi”. Unë kam dosjen e operacionit SHPIRTI, KULMI dhe SHEFI. Kam dhe një process-verbal të deklarimit të penditos Mariglen Shusha. Nuk kam tre process-verbalet e penditove të tjerë. Vetëm po ta kenë thënë ata gazetarin, por unë thëniet e tyre të plota nuk i kam.

Një deklarim i fundvitit 2019 i dhënë në Itali, ka sjellë finalizimin e operacionin “SHPIRTI”, duke treguar vazhdimin e operacioneve nga “SHEFI” tek “KULMI”, të kryer mes dy prokurorive të dy vendeve. Në fakt “SHPIRTI”, i kryer në 2 Korrik 2021, kam përshtypjen se duhej të quhej “KULMI” i kryer në 2019, për shkak edhe të mënyrës se si është trajtuar rëfimi i bashkëpuntorit. Prerja me gërshërë e deklarimit të tij dhe mënyrës së standardit të provës të sjellë në gjykim, çoi në arrestimin dhjetëra personave, mes tyre prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, dhe disa zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, deri tek dy ish-shoqëruesit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mbi këtë histori jam vënë në dijeni qysh prej Marsit 2018, kur në mendian ku unë punoja më parë, kam publikuar dosjen italiane të Barit, që bënte fjalë për operacionin “SHEFI” dhe flitej për një “Dajo” nga Vlora. Me këtë shkrim nuk dua t’i dal në mbrojtje asnjërit prej personave të proceduar në këtë çështje, por edhe tek dosja “SHPIRTI”, të cilët disa prej tyre i njoh, dhe nuk besoj se ata kanë nevojë për ndihmën time, në këtë proces gjyqësor që kanë nisur. Sigurisht nga ana tjetër nuk dua që me këtë shkrim të sulmoj dhe paragjykoj askënd nga personat që përmend bashkëpuntori i drejtësisë, dhe që dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, si kanë përmendur farë në këtë procedim. Si ata që aktualisht janë proceduar dhe kanë dalë para gjykatës, qoftë dhe ata që janë në arrati por edhe ata që janë përmendur në dëshmi dhe nuk kanë dalë para gjykatës, unë i njoh të gjithë.

Mbase po nxitohem që po flas kaq herët, mbase po gaboj rëndë që po paragjykoj çështjen që sapo ka nisur, por me keqardhje e them se me këtë nivel provash dhe standard të ngritjes së akuzës, është e frikshme. Ma ha bukën e peshkut në mes të ditës. Me këtë nivel manovrimi të sistemit të drejtimit që ka bërë prokuroria e posaçme SPAK, është e frikshme dhe tregon zig-zaket e saj, në këtë dosje penale. Teoria: “…ca të nënës dhe ca të njerkës…”, një teori që përdoret shpesh tek Vettingu, ka gjetur bazë dhe tek SPAK-u.

Por unë shpresoj se nuk duhet të gjejë zbatim në SPAK, në këtë organizëm që ndërkombëtarë mezi e ngritën dhe e sollën në këtë gjëndje që është tani. Nëse goditja duhej bërë, le të bëhej për të gjithë me atë standard provash që është përdorur për ndalimet. Nëse s’duhej bërë, po kurrë të mos ishte finalizuar.

Për të gjitha ata prokurorë që nuk e dinë, përfshirë dhe Vladimir Marën dhe Dritan Prençin, u bej thirje të lexojnë procesverbalin e deklarimit të datës 4 dhjetor 2019. Ky dokument tregon gjeneralitet e një personi të quajtur, Mariglen Shusha, që sipas të dhënave njihet në Vlorë me nofkën “Francezi”. Është njëri nga katër bashkëpuntorët e italianëve dhe shqiptarëve, në dosjet e trafikut të drogës nga bregdeti shqiptar në atë Italian.

“Francesi”, ka treguar emra të tjerë prokurorësh, policë, shef SHIK-u dhe një drejtor Hipoteke në Vlorë, si persona këta, që kanë ndihmuar, Ilirjan Zaimin alias Duçkollarin “Lani” ose “Daja” dhe anëtarët e organizatës së tij. “Francesi”, nuk ka thënë asnjë emër gazetari. Vetëm nëse emrin e gazetarit e ka nxjerë në ditët kur është pyetur sërish në itali, pas ndalimit të Sotës, Ilirjan Ballës dhe personave të tjerë.

Për këtë s’kam dijeni. Por edhe nëse do jetë, për mua kjo puna e gazetarit është një pordhë me rigon. Vetëm kaq, asgjë më shumë. Di të them vetëm kaq që është një proces-verbal deklarimi që mban datën 4 dhjetor 2019, ku Mariglen Shusha (Francezi), është pytur për herën e tretë në ambjentet e gjykatës së Barit. Shusha, i cili konsiderohej si njeri i besuar i Ilirjanit Zaimit ose (Lanit), ka qënë personi që koordinonte veprimet e organizatës në zonën e Barit, duke u marë me pritjen e ngarkesave, magazinimin e tyre dhe më pas shpërndarjen e drogës, në disa rajone të Italisë.

Fillimisht Shusha, ka dhënë deklarime në datat 30 dhe 31 Maj 2019. Më pas në deklarimin e tretë, të datës 4 dhjetor 2019, ai ka bërë një rëfim “bombë” përpara tre prokurorëve Shqiptarë, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Pranvera Pustina, që aktualisht është Drejtore e Kabinetit të Prokurorit të Përgjitshhëm, Olsi Çela. I pranishëm në këtë rrëfim të datës 4 dhjetor 2019, ka qënë dhe magjistrati i Barit, Ettore Cardinali.

Mariglen Shusha, në këtë rrëfim flet për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, njohjen e tij me shefin e organizatës, Ilirjan Duçkollarin, takimet me shokët tek kafe “Rey Caffe”, shtëpinë dhe ndihmën që i jepte Maksim Sota, Ilirjanit. Shumë bukur “Francesi” i tregoi, dhe këta dy prokurorët në Tiranë, vepruan. I ranë dosjes në kokë. Futën në veprim operacionin “Shpirtushi”. Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, tashmë me këtë deklarim të datës 4 dhjetor, është ndaluar dhe çuar me masë sigurimi “arrest shtëpie”.

Ndërsa disa prokurorë të tjerë në SPAK, Fier dhe zyrtarë të tjerë në Vlorë, të përmendur në dëshminë e bashkëpuntorit, vijojnë të jenë ende në detyrë. A thua se nuk ka ndodhur asnjë gjë apo ata bëjnë sikur s’dinë gjë. Asnjëri s’ka dhënë dorëheqjen apo qoftë të shfaqë vullnetin, për tu verifikuar nga kolegët e tyre të SPAK-ut. Ndërsa e njëjta dëshmi, ku janë përmendur këta tre prokurorët e tjerë, nuk vlen për prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët nuk kanë shtrirë fijen e “filispanjës” dhe tek personat e tjerë të përmendur në dëshminë e bashkëpuntorit të drejtësisë me nofkën “Francezi”.

Francesi”, foli dhe tha “…kemi dhënë 15 mijë euro tek Ilirjani për të nda siguruar mbrojtjen në tokë dhe 15 mijë euro tek Festimi për të na siguruar mbrojtjen në det…”.Dhe këta miqtë ikën u arrestuan. Por “Francesi”, ka folur dhe ka thënë se “…kemi dorovitur me 200 mijë euro dhe të tjerët, për të mbyllur çështjen e Myftarit…”, dhe SPAK-u, nuk ka vepruar.

Ose kjo gjë është bërë nga paaftësia e tyre, ose me qëllim, ose janë lënë disa emra pa u prekur, për një moment të dytë, kur të oganizohet një operacion i mëvonshëm. Por deri tani nuk ka një vendimarje për të vepruar, megjithëse emrat e zyrtarëve janë në dosje dhe penditoja ja ka rëfyer edhe përballë magjistratit Italian.

Deri në këto moment që flasim, e vlefshme kjo dëshmi e datës 4 dhjetor 2019, është vetëm për prokurorin Maksim Sota, shefin e trafiqeve në Policinë e Shtetit, Ilirjan Balla, ish-shefin e kufirit detar në Vlorë, Festim Lelaj, dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe disa nga anëtarët e organizatës. Ndërsa çuditërisht për disa emra të tjerë, dëshmia e Mariglen Shusha me pseudonimin “Franzesi”, nuk është e vlefshme dhe është “prerë me gërshërë” tek pjesët ku bashkëpuntori flet për ta.

Në fakt Mariglen Shusha, në dëshminë e tij të 4 dhjetorit 2019, flet për një ngarkesë prej 808 kg drogë, që organizatës që drejtohej nga “SHEFI”, Ilirjan Duçkollarit, ju u kap në Rradhimë. Afër hotel “Rexhinës”, në datën 10 nëntor 2015. Shumë pranë drogës, u kap dhe një skaf me ngjyrë të bardhë, në emër të Robert Myftarit dhe një furgon me ngjyrë blu, i ngarkuar plot me drogë. Kjo gjë realisht ka ndodhur, pasi teksa kontrolloja në arkivën time, gjeta fotot e kapjes së drogës dhe skafit, pikërisht në periudhën kur i referohet penditoja. Për këtë ngjarje Mariglen Shusha, tregon se policia shoqëronte furgonin me ngjyrë blu, të një mobilieri në Vlorë me emrin, Alban Kushi, pasi “Lani“ kishte marë garanci tek blutë e Vlorës.

Shoqërimi bëhej nga dy “Jeep-a” policie, thotë penditoja. “Francezi”, ka treguar se duke qënë se skafi i bllokuar, i Ilir Duçkollarit, ishte rregjistruar në letra, në emër të Robert Myftarit, policia shpalli në kërkim Myftarin, i cili shkoi dhe u strehua në Kukës. Ndërsa pronari i furgonit ngjyrë blu, ku u gjet sasia prej 808 kg drogë, Alban Koshi, është pyetur dhe ka deklaruar se: ”…furgoni që është gjetur në vendngjarje ja kishin vjedhur…” dhe është lënë i lirë menjëherë. Çështja e kapjes së drogës, thotë dëshmitari përpara tre prokurorëve shqiptarë dhe një italiani, bëri shumë bujë në Shqipëri, dhe u fol dhe në parlament. Për të shuar dyshimet për inkriminimin e policisë së Vlorës, në atë periudhë, Ilirian Balla, në datën 11 nëntor 2015, thëriti gazetarët e Vlorës dhe filmuan drogën në polici, pasi u organizua konferencë për shtyp. Gjatë kësaj kohe Ilirjan Duçkollari, dyshonte se kapjen e sasisë së drogës ja kishte bërë Gjergji Kohila dhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeldi Çela. Por këta të fundit dërguan njerëz tek lokali i “Lanit”, se goditja e kësaj ngarkese nuk ishte bërë nga ata, por nga një oficer tjetër, me emrin Bashkim Imeraj. Bashkëpuntori i drejtësisë në rëfimin e tij ka treguar se “Lani” dyshonte shumë për goditjen e drogës nga, Jaeld Çela, për shkak se vëllai i “Lanit”, Uran Duçkollari, kishte vrarë disa vite më parë një kushëririn e Jaeldit, në Romë të Italisë. Dhe përë këtë shkak marëdhënies mes tyre asnjëherë nuk ishin normalizuar asnjëherë. Mirëpo gjatë kohës që u kap droga, “Lani” mbante konktakte dhe priste tek lokali i tij, dhe një punonjës tjetër policie në Vlorë me emrin, Henkeled Greku, i cili e informonte herë pas here.

Ndërsa çështja penale shkoi nga prokuroria e Vlorës në Tiranë, tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Shefi i dosjes, në Krimet e Rënda, thotë Mariglen Shusha, ishte prokurori aktual i SPAK-ut, Ened Nakuçi. Në fakt dosja penale që bën fjalë për trafikimin e 808 kg drogë, mban numrin, e një burgu në Tiranë, Nr. 313. Kjo dosje është hetuar prej vitit 2015 nga prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi. Robert Myftari, që ishte në kërkim, thotë bashkëpuntori, vinte nga Kukësi në Vlorë dhe qëndronte në lokalin “Rei Caffe” në pronësi të Ilirian Duçkollarit dhe askush nga polcia e Vlorës, nuk e arrestonte. Myftari, është vetëdorëzuar disa muaj më vonë dhe më pas është liruar. Bashkëpuntori i drejtësisë me nofkën “Francezi”, u ka thënë tre prokurorëve shqiptarë, se ai së bashku me Ilirjanin, kanë shkuar nga Vlora në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, kanë takuar një avokate, me qëllim për t’ju afruar, Ened Nakuçit. Takimi në Tiranë me avokaten është bërë dhe sipas tij ajo i kishte pohuar se do fliste dhe më pas do i kthente një përgjigje. Pas këtij takimi, Ilirjani së bashku me Mariglen Shushën, janë larguar nga Tirana për në Fier, ku kanë takuar një prokuror tjetër të Fierit, Erind Rahovicën.

Sipas bashkëpuntorit të drejtësisë, ky prokuror ishte qeros, me disa shenja si puçra në fytyrë dhe ishte vëllai i një parlamentari nga Berati, që ka hotel “Tomorin” në Berat. Në këtë takim, thotë bashkëpuntori, kam qënë vetë i pranishëm, ku “Lani” i ka prezantuar situatën që kishte me prokurorin, Ened Nakuçin. Pas bisedës me të (Lani) ka nxjerë nga çanta shumën prej 10 mijë euro, që t’ia jepte prokurorit të Fierit, por ai nuk ka pranuar t’ia marë. Sipas rëfimit të Mariglen Shusha, Erindi, i ka thënë se duhet të flisnin me një kushëririn e Enedit. Mirëpo, në Fier, Shusha dhe Lani, kanë takuar dhe një prokuror tjetër, me emrin Miri apo Sajmir, i gjatë dhe i dobët, por mbiemrin nuk ja mban mend. Bashkëpuntori, i drejtësisë i ka treguar tre prokurorëve shqiptarë se për të zgjidhur çështjen në Tiranë, “Lani”, kishte folur dhe me Maksim Sotën, Rezartin, Drejtorin e Hipotekës Vlorë dhe një avokat, Arian Isufaj nga Vlora, të cilin e kishte vënë për të mbrojtur interesat e Robert Myftarit.

Mariglen Shusha, ka treguar në prokurori se “Lani” interesohej ta zgjidhte çështjen pasi nuk donte ti hapeshin probleme, pasi gruaja dhe vëllai i Robert Myftarit, herë pas here vinin e takonin tek lokali, duke e pyetur se çfarë kishte bërë,deri ku kishte shkuar me negociatat, pasi Myftari edhe mund të fliste për çështjen e pronësisë së gomones dhe 808 kg hashash. Ata i kërkonin “Lanit” që ta lironin Myftarin para Vitit të Ri. Të gjitha shpenzimet financiare, avokat, gjyqe e ushqime në burg, i kishin të hequra nga “Lani”. “Lani”, sipas dëshmitarit impenjoi për zgjidhjen e çështjes disa persona mes të cilëve dhe Landin, një psikolog të gjykatës së Vlorës.  Bashkëpuntori, ka treguar se ai nuk ka qënë në të gjitha takimet që ka bërë “Lani”, për zgjidhjen e çështjes, pasi ishte larguar në Itali, për tu marë me punët e organizatës. Por sipas tij, “Lani” i ka thënë se për të mbyllur dosjen, kishte dhënë një shifër që varion nga 150 deri në 200 mijë euro. Në fakt më datën 25 nëntor 2016, nga ana e prokurorit të çështjes, Ened Nakuçi, është vendosur pushimi i hetimeve ndaj, Robert Myftarit, i cili është arrestuar për 808 kg lëndë narkotike, si i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të Narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Kjo ka sjellë lirimin e Myftarit, përpara Vitit të Ri, ashtu siç kërkonin dhe ushtronin presion, familjarët e tij tek Ilirjan Duçkollari. Ndërsa në 10 korrik 2017, prokurori Ened Nakuçi, ka vendosur të pezullojë veprimet hetimore të dosjes me Nr.313 të vitit 2015, që bënte fjalë për trafikimin e 808 kg drogë.

Kjo dosje është rihapur nga prokurorët, Mara dhe Prençi, më datë 9 dhjetor 2019. Rihapja e çështjes është bërë vetëm 5 ditë pas pyetjes së Mariglen Shushës në Bari të Italisë. Rifillimi i hetimeve për procedimin penal nr.313 të vitit 2015 (i pezulluar) është bashkuar me procedimin penal nr.238 vitit 2017, për hetime të mëtejshme, pasi të dyja çështjet kishin të njëjtin karakter. Me kërkesë të dy prokurorëve të mësipërm, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur revokimin e vendimit të pezullimit të hetimeve të datës 25 nëntor 2016, ndaj, Robert Myftarit, dhe rifillimin e hetimeve për këtë person, ndaj të cilit tashmë është caktuar një masës sigurimij “arrest në burg”. Në dëshminë e tij, bashkëpuntori i drejtësisë, Mariglen Shusha ose “Francezi”, thotë se Ilirjan Duçkollari, kishte njohje dhe me shefin e SHIK-ut në Vlorë, pasi “Lani” kishte ndërhyrë tek Rezarti, drejtori i hipotekës dhe i kishte futur gruan në punë pranë hipotekës së Vlorës. Madje në një rast, bashkëpuntori tregon se kur Guardia Di Finanzia, ka kërkuar informacion mbi aktivitetin e “Lanit” në Vlorë, drejtori i SHIK-ut, është konsultuar me “Lanin” dhe i ka kthyer një raport negativ, duke mashtruar mbi të dhënat reale që kërkonin italianët. Ndaj e thashë që në fillim të këtij shkrimi se operacioni “SHPIRTI”, i kryer në 2 Korrik 2021, kam përshtypjen se duhej të quhej operacioni “KULMI”. Pikërisht për shkak të kësaj ndasie, diferentizmi, standardi të shëmtuar provash, dhe selektim personash që duhet të procedoheshin. “…Qëllove si kalama o Mane…”-është kjo një shprehje e famshme tek filmi shqiptar “Asgjë nuk harrohet”.

Dhe ja pra ku vimë sërisht pas shumë vitesh nga thënia e kësaj batute, ku SPAK-u në 2 korrik 2021, në atë konferencë të famshme për shtyp, ka qëlluar si Mania. Ose këta njerës duhet të arrestoheshin të gjithë se vërtet kishte prova dhe se dëshmia e francezit vlente. Ose deklarimin e tij ta verifikonin dhe nëse nuk kishte prova, ta linin në sirtar dhe mos i hynin kësaj pune, se do ij binin tjegullave të çatisë së tyre me gurë. Pas gjithë kësaj situate, pyetja që mua më lind është po sikur Mariglen Shusha të tërhiqet nga bashkëpunimi dhe tu thotë prokurorëve kam gënjyer, me çfarë prove tjetër do mbajnë në këmbë dosjen?

 


Shtuar 1.08.2021 17:18