Gati për mandatin e 3! Rama paralajmëron ndryshime të mëdha në polici: Ashpërsojmë kodin Penal dhe Rrugor

Kryeministri Edi Rama ka bërë gati programin për mandatin e tretë të fituar në zgjedhjet e 25 Prillit.

Ndërkohë që programi pritej të publikohej nesër në Kuvend, përmbajtja e tij është publikuar e tëra në mediat online.

Pas premtimeve për rrogat dhe mbështetjes financiare për familjet e reja, është zbuluar dhe premtimet e Ramës për “Sigurinë në Shqipëri”.

Rama thekson se në mandatin e tretë do të ashpërsojë Kodin penal dhe atë Rrugor ndërkohë në të tjera shkruhet se nuk ka më mjete policie që u mbaron karburanti në ndjekje të keqbërësit, si dhe me efektivë të mirë-kualifikuar dhe me arsim të lartë

PJESË NGA PROGRAMI: SHQIPËRIA E SIGURTË

Çfarë ka ndodhur? Sot, Policia e Shtetit kontrollon 100% të territorit, nga Tirana deri në fshatin më të largët.

Sot, Policia e Shtetit është një armë moderne, me një flotë automjetesh plotësisht moderne, të cilave nuk u mbaron karburanti në ndjekje të keqbërësit, si dhe me efektivë të mirë-kualifikuar dhe me arsim të lartë.

Rrjedhimisht, Shqipëria regjistron 2.5 herë më pak vrasje në vit. Janë përsëri shumë, por shumë më pak nga më përpara. Shqipëria sot regjistron dy herë më pak aksidente fatale.

Janë përsëri shumë për Shqipërinë që Duam, por shumë më pak nga më parë. Shqipëria regjistron shumë më pak plagosje, grabitje me pasojë vdekjen, vjedhje të banesave, vjedhje të automjeteve, përdhunime apo krime në familje. Janë përsëri shumë për Shqipërinë që Duam, por ndryshimi është epokal.

Policia e Shtetit është ajo që në dy vitet e fundit ka shkatërruar 30 grupe të krimit të organizuar dhe që ka vendosur në pranga 103 anëtarë të këtyre grupeve. Që gjithashtu, nga më pak se një milionë euro asete kriminale të konfiskuara në 2013, sot heq nga duart e krimit dhjetëra miliona euro në vit.

Në 2025-n, me përfundimin e Vetingut në Policinë e Shtetit, objektivi ynë madhor është ai i një Shqipërie pa grupe kriminale, pa të fortë dhe banditë, një vend që për nga siguria, të renditet në mesataren e shteteve të BE-së.

Ashpërsojmë betejën në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, në helmin dhe ndjekjen e aseteve dhe pasurive të paligjshme të lidhura me krimin, duke rritur kapacitetet e strukturave dhe duke filluar punën brenda shtatorit 2021 për miratimin e Kodit të ri Penal. Sigurojmë kontrollin e plotë të territorit, veçanërisht ndaj ndërtimeve pa leje nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe investimeve të konsiderueshme në sistemet inteligjente bashkëkohore për monitorimin e veprimtarive të kundraligjshme e për sinjalizimin e rrezikut.

Hartojmë ligjin që siguron dhe zgjeron aksesin e Policisë së Shtetit në regjistrat e llogarive bankare, në regjistrin e pronarëve përfitues, të pasurive të paluajtshme, noterëve, transaksioneve të dyshimta, si dhe në databazat e tatimeve dhe doganave.

Rrisim sigurinë rrugore duke filluar punën për ndryshimet në kodin rrugor dhe për rritjen e investimev në sistemet e monitorimit të trafikut dhe digjitalizimin e proceseve që kanë të bëjnë me përdoruesit e automjeteve dhe sjelljen e tyre.  /albeu.com/

 


Shtuar 15.09.2021 17:49