Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të vëzhgojë dhe të hetojë arsyet e dallimeve mes çmimeve të energjisë elektrike që paguajnë banorët në veri të Kosovës dhe qytetarët në pjesën tjetër të vendit.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve në një konferencë për media, ajo tha se tregu duhet të jetë nën mbikëqyrje institucionale. Sipas Rizvanollit, diferencat në çmime shtrojnë pyetje për mënyrën se si funksionon konkurrenca.
Të lidhura
None found
Ministrja bëri të ditur se furnizuesi i shërbimit publik në veri e siguron pjesën dërrmuese të energjisë nga KEK-u, me çmim prej 30 eurosh për megavat-orë. Ajo e cilësoi këtë çmim shumë më të ulët se ai i tregut dhe tha se përbën një nga arsyet kryesore për tarifat më të ulëta të energjisë elektrike në Kosovë.
“Tarifat janë tarifa, faturat janë fatura. Ato shqyrtohen, krahasohen dhe pastaj bëhen përllogaritjet. Për institucionet tona ka rëndësi që tregu të mbikëqyret dhe të monitorohet. Kjo është pjesë e mandatit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila duhet ta ndjekë tregun dhe të hetojë shkakun e këtyre dallimeve në çmime.
Është e pazakontë të ketë diferenca të tilla, kur në pjesën tjetër të vendit furnizuesi i shërbimit publik blen nga KEK-u pjesën më të madhe të energjisë me 30 euro për megavat-orë, shumë më pak se çmimi i tregut. Ky është faktori kryesor që na mundëson të kemi tarifa më të lira në rajon, madje edhe në Evropë.
Kur një furnizues në Republikën e Kosovës ofron tarifa më të ulëta, lind dyshimi nëse konkurrenca po zhvillohet në mënyrë të drejtë. Jam e bindur se ZRRE-ja do ta trajtojë këtë çështje me seriozitet”, deklaroi Rizvanolli.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, reagoi dje për këtë temë. Ajo tha se qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës paguajnë për energjinë elektrike deri në 22.4 për qind më shumë se banorët në veri.
Në një postim, Ymeri kritikoi Qeverinë për faturat më të larta me të cilat, sipas saj, po përballen qytetarët.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! me strukturën e vet instaluese në energji ka vendos që deri në 22.4% me pagu më shtrenjtë kosovarët rrymën sesa serbët në veriun e Kosovës. Mund të vazhdoni me shpërnda video ku paraqitem dhe linçohem. E vërteta, pa dyshim se i vjen secilit në terr, në ftohtë e në fatura”, shkroi Ymeri.







