Gara për bashkinë e Kukësit, Rithemelimi mban sot Primaret

Ditën e sotme, Rithemelimi po mban Primaret për zgjedhjen e kandidadit që do të garojë për bashkinë e Kukësit më 24 shtator.

Mes 6 kandidatëve që i janë propozuar Rithemelimit për të qenë pjesë e primareve, është edhe kreu i PD në Kukës Arif Rexhmati, i njohur si figurë që mbështetet nga Lulzim Basha.

Emra të tjerë që do të futen në garë në 27 gusht janë, Ardian Elezi, Emri Vata, Gezim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeneli. Më herët, ish kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mjeku Admir Sinamati, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në garë.

Sali Berisha ka folur për pjesëmarrje masive dhe i ka bërë thirrje demokratëve kuksianë që të shkojnë të votojnë.

“Pjesëmarrje masive në primaret në Kukës! Ftesë për të gjithë demokratët e Kukësit të marrin pjesë në primare për zgjedhjen e kandidatit të tyre për Bashkinë Kukës. Suksese”, shkruan Berisha.

Pas arrestimit të Safet Gjicit, më 24 shtator Kukësi do të zgjedhë sërish kryetarin e Bashkisë. Partia Socialiste do të paraqitet para kuksianëve me Albert Halilajn, ndërsa forcat politike kanë afat deri me datë 1 shtator për t’u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore.

Emrat e kandidatëve do të duhet të paraqiten jo më vonë se data 8 shtator.

/Albeu.com/


Shtuar 27.08.2023 10:32