Kryebashkiaku Erion Veliaj, mësohet se ka firmosur shkarkimin nga detyra të rreth 20 drejtorëve të tjerë të Bashkisë së Tiranës.
Ajo që është e paqartë, duket se këto lëvizje lidhen me strukturimin e bashkisë së kryeqytetit dhe organizimit të saj për fushatën zgjedhore të 11 majit, apo janë lëvizje të diktuara nga hetimet që Prokuroria e Posaçme po zhvillon ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili po hetohet së paku për 4 vepra të rënda penale.
“Që prej ditës kur SPAK firmosi urdhër arrestet për 3 drejtorët kryesorë të Bashkisë, Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushës për aferën “5D”, si dhe masa ndaluese për disa zyrtarë të tjerë të lartë, Erjon Veliaj ka bërë disa herë ndryshime në institucionin që drejton.
Pak kohë më parë ai largoi një numër të madhe zyrtarësh të Bashkisë, mesa duket për të shfryrë skandalin 5D. VNA ka mësuar së përgjatë dy ditëve te fundit, kryebashkiaku që është nën hetim nga SPAK për 4 vepra penale, ka bërë ndryshime të reja. Ai ka firmosur largimin e 20 zyrtarëve dhe shefave të sektorëve. Burimet konfirmuan se është larguar Anjeza Capllani, Julinda Dhame, Berton Hoxha, Jona Molla.
Është larguar po ashtu drejtoresha e Përgjithshme e Strehimit si dhe shefja e IT, si dhe Dition Shkurta i UKT-së.
Po ashtu janë bërë lëvizje dhe ne drejtorinë e Urbanistikës. Arsyet se përse Veliaj ka bërë këtë valë të madhe lëvizjesh mbetet e paqartë.
Por, mbase kryebashkiaku po heton me kujdes ccdo ish-vartës të tij për të zbuluar Nesti Angonin, personin që e kallëzoi në SPAK dhe dorëzoi në duart e prokurorëve të Posaccëm prova kompromentuese për të.
Pavarësisht lëvizjeve që po bën kryebashkiaku Veliaj, pyetja e madhe mbetet: a do të mundet ai t’i mbijetojë hetimit të SPAK”, raporton agjencia e lajmeve “VNA.al”.
VALA E PARË E SHKARKIMEVE
Ndërkaq ky vendim vjen vetëm pak muaj nga vala e parë e emërimeve dhe shkarkimeve, ku u firmos lëvizja e 12 drejtorëve të rinj të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Policisë Bashkiake, të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, të Tirana Parking, të Kopshtit Zoologjik, Qytetit Studenti, si dhe disa prej qendrave sociale dhe muzeumet.
Në drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli” u emërua Anisa Ymeri, kurse drejtor i Rezidencës Studentore në Qytetin Studenti, Renato Pashollari.
Rreth 3 muaj më parë Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bëri lëvizje të reja në disa nga drejtoritë e bashkisë.
Konkretisht ai emëroi drejtorët e rinj, konkretisht në Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës, u emërua Elda Muçi; në krye të Policisë Bashkiake Toni Beni;
Drejtori i ri i Ndërmarrjes së Rrugëve dhe Ndriçimit, Piro Sinjari; kurse në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit u vendos Blerta Dardha.
Drejtori i ri Tirana Parking u emërua Flavio Barçi, ndërsa tek Kopshti Zoologjik drejtimin e mori Ervis Rrahmani.
Po ashtu, dy qendrat sociale drejtohen tashmë nga Aldo Aga dhe Gentjana Lasku.