Frrok Çupi deklaratë të fortë për Metën: Është rasti që atij t’i shpërthejë një raketë ruse nëpër këmbë

Analisti Frrok Çupi ka dalë me një deklaratë të fortë për presidentin Ilir Meta, teksa bën një paralelizëm me atë që po ndodh në Ukrainë, e cila po bombardohet nga raketat ruse.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se presidenti Ilir Meta mund të kishte shkuar në Kiev dhe të një raketë ruse mund ti shpërthej në këmbë.

“Një raketë shqiptare në Kiev. Të paktën sot, presidenti i Shqipërisë mund të kishte udhëtuar për në Kiev. Ka rastin të qëndrojë në sheshin “Nëna Ukrainë”, të paktën deri në mesnatë. Autokolona e gjatë 64 km e ushtrisë ruse me tanke e raketa po i afrohet Kievit në këto orë, që prej mëngjesit. Është rasti që presidenti nga Shqipëria të presë aty derisa një raketë ruse t’i shpërthejë ndër këmbë. Atëherë, po. Atëherë do të kishim një president “pa maskë”.

Presidenti do të shfaqej para publikut e do të deklarohej: “A iu thashë se do të më vrasin raketat amerikane në Malin me Gropa?… Tani lufta e Ukrainës më bëri të ndërroj faqe; lufta më bëri anti- rus; le të më vrasin raketat ruse!”. Kjo mund të vazhdojë të ndodhë edhe nesër, pasnesër, a kur të duash, nëse presidenti ka dëshirë të ndryshojë”, tha ai.

Ndër të tjera, Çupi u shpreh se në vendin tonë nuk dihet se cili është me kë. Ai theksoi, se as shqiptarët nuk e dinë se në çfarë sistemi jetojnë.

“Por, vallë, a do ta bëjë këtë presidenti i Republikës së Shqipërisë? Nuk është fjala për një theror, është fjala për një fenomen me shumë dilema: Dilema e parë, kush është kush? Ukrainasit u shfaqën para ushtrisë armike dhe ky ‘fat’ i dalloi secilin nga secili: Disa mijëra janë edhe me Rusinë, por e kanë dëshmuar këtë, me plot zërin se duam Rusinë!. Ndërsa në vendin tonë, Shqipëri, as sondazhet më të fshehta nuk do të mund të nxirrnin të vërtetën cili është me cilin?. As shqiptarët, kurrë nuk mund të përgjigjen se në ‘ç’sistem jetojnë?, çfarë është lideri i tyre?, i majtë apo i djathtë?, tiran apo pulë?, maskara apo hipokrit?”, tha ai.


Shtuar 3.03.2022 09:27