Francezët stërvitin fshehurazi ushtarët ukrainas, i hedhin kafshë të ngordhura për t’u mësuar me “erën e vdekjes”

Stërvitja e ushtarëve ukrainas  se si të luftojnë në llogore është ndërmarrë nga ushtria franceze, në një kamp të fshehtë në Francë. Në fakt, sipas Politico, një nga veçoritë e këtij trajnimi është se francezët shpërndajnë kafshë të ngordhura në pjesë të ndryshme të kampit, në mënyrë që ushtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës “të mësohen me erën e vdekjes”.

Ukraina, raporton Politico, i është drejtuar Francës me një kërkesë për të përgatitur ushtarët e ardhshëm për t’i bërë ballë kushteve të vështira luftarake dhe për të operuar në kushte të ftohta, të zhurmshme dhe pa gjumë.

Në kuadër të trajnimit, kufomat e kafshëve të ngordhura shpërndahen nëpër llogore, në mënyrë që “ukrainasit të mësohen me erën e vdekjes “, tha një zyrtar francez, duke theksuar se në disa vende janë të punësuar edhe përkthyes, në mënyrë që mos ketë keqkuptime në udhëzime.

Gjithashtu, po përdoren dronë, në mënyrë që ukrainasit të përshtaten me atë që do të përballen kur të thirren për të mbrojtur territoret e tyre nga rusët.

Raporti thotë se ushtarët ukrainas janë duke u stërvitur për katër javë, gjashtë ditë në javë dhe nga ora 5:30 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, dhe pritet të hidhen në fushën e betejës shumë shpejt.

“Roli i Francës në këto programe është të trajnojë ushtarët për armët dhe përdorimin e pajisjeve. Por kjo nuk është e gjitha. Do të thotë gjithashtu të ndajmë mentalitetin tonë perëndimor”, tha një nënkolonel francez që mbikëqyr stërvitjet.

“Për ne, mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme t’i mësojmë partnerit tonë ushtarak se si të manovrojë, si të qëndrojë në këmbë, si t’i afrohet objektivit dhe si të shmangë zjarrin miqësor. Në të vërtetë kjo është shumë serioze, veçanërisht në terrene komplekse, siç është një rrjet llogoresh që çojnë në drejtime të ndryshme”, tha një oficer i ushtrisë franceze për Euronews.

Sipas Parisit, ushtria franceze pritet të trajnojë gjithsej rreth 7,000 burra ukrainas. Programi i trajnimit për ushtarët ukrainas i kushton Francës rreth 300 milionë euro, sipas një raporti të Parlamentit.

Por edhe ushtria franceze përfiton.

Vihet re se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë trajnuar tashmë pothuajse 18 mijë ushtarë ukrainas, ndërsa Britania ka zbatuar një program të paprecedentë trajnimi ushtarak që parashikon stërvitjen e 30 mijë burrave.


Shtuar 13.11.2023 20:00