Franca dhe Australia thanë të hënën se do të bashkëpunojnë në një projekt shumë milionë dollarësh për të prodhuar “disa mijëra” predha artilerie për Ukrainën.
Njoftimi erdhi ndërsa ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të të dy vendeve po takoheshin në Paris.
“Disa mijëra predha 155 milimetrash do të prodhohen së bashku, me një partneritet të paprecedentë midis Australisë dhe Francës”, tha ministri francez i mbrojtjes Sébastien Lecornu gjatë një konference për shtyp.
Ministri francez i mbrojtjes specifikoi se Nexter, kompania franceze e armëve, do të ishte partnere me kompanitë australiane të cilat do të siguronin pluhurin për predhat.
“Kjo është pjesë e nivelit të vazhdueshëm të mbështetjes që Franca dhe Australia po i japin Ukrainës për t’u siguruar që Ukraina është në gjendje të qëndrojë në këtë konflikt dhe të jetë në gjendje ta shohë atë të përfunduar sipas kushteve të veta,” shtoi ministri australian i mbrojtjes Richard Marles.
Asnjë nga ministrat nuk specifikoi numrin e saktë të predhave që do të prodhoheshin, por ata treguan se ky do të ishte një bashkëpunim afatgjatë./Albeu.com/