FOTO/ Policia e kërkon “në qiell”, Hulku i Burrelit karshillëk forcave të rendit në rrjetet sociale

Hulk Dedja, 29 vjeç u shpall në kërkim nga policia më 10 maj 2023.

Ky i fundit rezulton me precedent të theksuar kriminal dhe i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje.

Por edhe pse është në kërkim, duket se Dedja nuk është shqetësuar nga ky fakt. Ai poston foto nga jeta e tij e përditshme në rrjetet sociale duke i bërë “karshillëk” forcave të rendit.

Foto e postuar ne llogarine e Dedjas ne Instagram

Pse u shpall në kërkim?

Dedja, dyshohet se në një lokal në qytetin e Burrelit, kërcënoi dikë dhe më pas u largua menjëherë nga ambientet e biznesit.

Gjatë kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi 12 targa automjetesh (2 prej të cilave me mbishkrimin “Policia”, 4 targa të huaja dhe 6 targa shqiptare), një fenelinë, një rrip multifunksional si ata të policisë dhe 1 krëhër kallashnikovi.

Po kush është Hulk Dedja?

Hulk Dedja, i biri i Halit Dedjas, i cili u ekzekutua në kryeqytet në dhjetor të 2010-ës. I riu dyshohet se në shenjë hakmarrje për vrasjen e të atit ka tentuar të vrasë dy pjesëtarë të fisit Kolaj nga Burreli.

18-vjeçari në 5 maj të vitit 2011, pak muaj pas vrasjes së babait të tij, tentoi të ekzekutojë për hakmarrje Ismet Kolën dhe nipin e këtij të fundit, Bashkim Dervishi. Dajë e nip mbetën të plagosur, ndërsa Hulku mundi të largohej duke i shpëtuar drejtësisë për më tepër se një vit.

Ngjarja për të cilën akuzohet Dedja ka ndodhur në vendin e quajtur “Lagjja e Re”, në qendër të Burrelit. Dyshohet se mesditën e 5 majit 2011, Hulk Dedja ka qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Ismet Kola dhe nipi i tij Bashkim Dervishi.

Për pasojë Kola u plagos me dy plumba në bark, ndërsa Dervishi në shpatullën e djathtë. Mes fiseve Kolaj dhe Hulku ekziston një histori e gjatë hasmërie. Kolajt dyshohen të kenë ekzekutuar tre djem të familjes Dedja dhe babanë e tyre.

Nga ana e Kolajve është vrarë Haki Kola, babai i Ismet Kolës dhe dy vëllezërit e tij, Fiqiri e Medi Kola. Këta janë vrarë nga Halit Canameti, i cili gjithashtu është vrarë vite më vonë në pabesi në shtëpinë e një miku të tij.

Nga ana tjetër, Kolajt i kanë vrarë dy njerëz të afërt Canametit, në fisin Xhetani.

Viktima më e fundit e hakmarrjes ka qenë babai i Hulkut, Haliti, i cili në Tiranë njihej si Donald Dedja.

Ai u ekzekutua me armë zjarri më datën 16 dhjetor 2010, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë ish-uzinës “Enver” në Tiranë.

Dedja, në vitin 1997 punonte si oficer policie për hetimin e krimeve, por në atë kohë, i vranë vëllain. Pas disa vitesh atij i vrasin vëllain tjetër dhe babanë./Albeu.com/


Shtuar 1.06.2023 19:07