Jamarbër Malltezi, i arrestuar më 21 tetor në ambientet e aeroportit të Rinasit, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme, ku pritet që Gjykata të japë verifikimin e masës së sigurisë.
Gjithashtu në GJKKO ka mbërritur edhe Fatmir Bektashi, i cili ka ndërtuar kullën në truallin ku dikur ndodhej ish-kompleksi sportiv Partizani.
Por avokatët e të pandehurve kanë kërkuar që të shtyhet me dy orë dhënia e masës së sigurisë për tu njohur me provat.
Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua mbrëmjen e të shtunës në Rinas. Arrestimi u bë me urdhër të SPAK, pas kallëzimit të bërë në vitin 2020 nga ministri i Brendshëm Taulant Balla lidhur me privatizimin e ish klubit sportiv “Partizani”.
Lexo edhe: LISTA/ Nga apartamentet te llogaritë bankare, pasuritë që iu sekuestruan Jamarbër Malltezit
Në pranga u vu edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur masë detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit edhe, për ish-kryeministrin Sali Berisha me akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim.
Akuzat e ngritura:
Sali Berisha- Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i K.Penal
Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve ne bashkëpunim me Fatmir Bektashi neni 287 i K.Penal;
Fatmir Bektashi- Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh të veprës penale ne bashkëpunim me Jamarbër Malltezi./Albeu.com