Rreth 50 turistë nga Britania e Madhe kanë çelur sezonin e anijeve turistike në Portin e Durrësit. Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale ka publikuar foto nga mbërritja e turistëve nga Britania e Madhe në Durrës me kroçierën “Monet”. Rama thekson se turistët veç Durrësit do të vizitojnë edhe Tiranën dhe Krujën.
“Këtë të diel zyrtarizojmë edhe nisjen e këtij sezoni turistik me kroçiera, ku 50 turistë britanikë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm me kroçierën “Monet” për të vizituar Durrësin dhe sitet turistike të Tiranës, Krujës e zonave përreth”, shkruan Rama.
Ai thotë se ky është një ogur i mirë për këtë vit turistik ku Shqipëria po vizitohet nga të gjitha anët e në të gjitha format.
Këta muaj të parë të vitit vijon trendi në rritje i flukseve turistike, ndërsa vitin e kaluar Shqipëria mirëpriti më shumë se 10 milionë turistë të huaj.
Rreth 20 mijë turistë britanikë janë mirëpritur në tre muajt e parë të këtij viti, duke u bërë një prej tregjeve me rritjen më të shpejtë të flukseve turistike për Shqipërinë.