Forcat ukrainase po vazhdojnë ofensivën e tyre në zonat Melitopol dhe Berdiansk të rajonit jugor të Zaporizhjas, derisa raportohet se ata kanë rifituar disa territore në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase mëngjesin e 17 korrikut.
“Gjatë javës së kaluar, si rezultat i veprimeve sulmuese në total (në lindje dhe jug), u çliruan pothuajse 18 kilometra katrorë”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar në Telegram, duke shtuar se në zonën Bahmutit të Donjeckut, forcat ukrainase arritën të rimarrin disa territore.
Malyar tha se territori i përgjithshëm i rimarrë nga trupat ukrainase që nga fillimi i kundërsulmit të tyre arrinte në më shumë se 210 kilometra katrorë.
Forcat ruse, të kryesuara nga ushtarët e grupit mercenar të Wagner-it pushtuan qytetin Bahmut në muajin maj pas disa muajsh luftimesh të rënda, por trupat ukrainase, të armatosura nga Perëndimi, kanë arritur të depërtojnë në veri dhe jug të qytetit të shkatërruar.
Malyar tha se gjatë javës së kaluar, rreth shtatë kilometra katrorë u çliruan rreth Bahmutit, ku gjithsej më shumë se 30 kilometra katrorë u rimorën nga forcat e Kievit.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në raportin e tij ditor në fillim të 17 korrikut se trupat ruse po përqendrojnë operacionet e tyre kryesore ushtarake në drejtimet Bahmut, Avdivka, Kupiansk dhe Marinka, në rajonin e Donjeckut.
Ai tha se trupat ukrainase kundërshtuan përpjekjet e forcave ruse për të sulmuar pozicionet e tyre në Donjeckt dhe se 28 beteja të ashpra u zhvilluan në lindje të rajonit gjatë 24 orëve të fundit.
Luftimet e fundit erdhën pasi forcat ruse sulmuan tre herë rajonin lindor të Ukrainës, Harkivin, më 16 korrik.
Oleh Synehubov, kreu i administratës ushtarake rajonale të Harkivit, u tha njerëzve të qëndronin brenda pasi një alarmi për sulme ajrore u lëshua gjatë natës.
Më herët në Telegram, Synehubov raportoi se gjatë sulmit të dytë, një civil, një burrë i lindur në vitin 1999, humbi jetën tragjikisht. Kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov tha se incidenti ndodhi rreth orës 19:00 të kohës lokale.
Synehubov tha se tre burra ishin shtruar në spital me plagë të marra nga predhat, dhe një person u trajtua në vendngjarje.
Sipas ushtrisë ukrainase, katër raketa S-300 u hodhën nga ushtria ruse nga rajoni Belgorod në Rusi. Ndër këto raketa, dy u shpërthyen në ajër, ndërsa dy të tjerat goditën objektivat e tyre. Njëra raketë goditi një stadium, ndërsa tjetra ra në një rrugë brenda qytetit./REL/