Florian Marku në intervistë për BBC: Kundërshtari im është i duhuri për të vazhduar me rekordet e mia

Boksieri ynë, Florian Marku ka dhënë një intervistë në prag të ndeshjes së sotme, ku ka folur për “BBC”.

Luftëtari 29-vjeçar ka treguar rrugëtimin e tij, nga kickbox-i e deri në aventurën e tij në boksin profesionist.

“Kam lindur në Shqipëri dhe jam rritur në Greqi, teksa e kam nisur me kickbox-in, duke regjistruar rreth 100 ndeshje në karrierë. Kam punuar shumë vazhdimisht dhe në të gjithë karrierën time numëroj vetëm katër beteja të humbura, teksa të gjithë u befasuan me kalimin tim në një tjetër disiplinë, si boksi’, shprehet Marku.

Më tej boksieri 29-vjeçar zbulon se është bërë i njohur që kur ndeshjet në MMA (Artet Marciale të Përziera), teksa pranon se publiku shqiptar e mbështet fuqimisht në rrugëtimin e tij.

“U bëra i njohur kur ndeshesha në MMA dhe publiku më do e më mbështet shumë, teksa më quan edhe “mbreti shqiptar”. Nuk e dija që kishte kaq shumë shqiptarë këtu në Angli, por e mësova kur erdha të ndeshem këtu. Dy ndeshjet e para në Londër, i shita vetë të gjithë biletat dhe mbështetja e publikut shqiptar është një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua”, deklaroi boksieri shqiptar.

Më pas Marku zbulon se të luftojë në ring ka qenë ëndrra e tij e bërë realitet, teksa komenton edhe kundërshtarin e mbrëmjes së sotme, të cilin e cilëson të duhurin për të vijuar rekordin e tij në boks.

“Lufta në ring ka qenë ëndrra ime, që më ka ndihmuar jo vetëm të mbaj familjen, por edhe të bëhem i famshëm. Besoj te vetja ime më shumë se kushdo tjetër dhe dua të çoj përpara ëndrrën time. Kundërshtari i radhës nuk është më i forti me të cilin jam përballur, por ka shumë eksperiencë dhe besoj se është i duhuri për të vazhduar përpara me rekordet e mia”, deklaroi Marku./ h.ll/albeu.com


Shtuar 2.04.2022 20:01