Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar me një shkrim satirik për Asamblenë e Partisë Socialiste. Duke marrë shkas nga romani “Shpirtrat e vdekur” i Nikolai Gogolit, ai e paraqet kryeministrin Edi Rama si Çiçikovin dhe ironizon marrëdhëniet mes drejtuesve socialistë.
Në qendër të rrëfimit është përplasja e Ramës me Spiropalin, të cilën Gjekmarkaj e quan “Mamica”, si edhe diskutimi për largime e përjashtime nga forumet drejtuese. Në satirë përfshihen qëndrimet e Fatmir Xhafës, Pandeli Majkos dhe Erion Braçes. Shkrimi mbyllet me një tjetër aludim për Gogolin dhe Çiçikovin.
Të lidhura
None found
Postimi i deputetit të PD-së Agron Gjekmarkaj:
Kronikë prej mbledhjes së “shpirtrave të vdekur”!
Babua mbërriti në asamble si Çiçikovi, me një dilemë që nuk i shqitej: kur trupi i njeriut është gjallë, por shpirti i ka vdekur, bujkërobërit e tij a janë thjesht emra në regjistër, apo njerëz që dikur kanë jetuar? Mendimet iu prenë kur mbi makinë nisën t’i binin vezë si breshër. Pas tyre erdhën inati, mllefi dhe hakërrimi. Vera i kishte dalë e hidhur, vjeshta edhe më e rëndë, ndërsa dimri e kishte lënë derbeder.
Prej javësh fshihej, sa në sënduk e sa në dollap, dhe dukej disi më i plakur. Ngjyra e fytyrës i kishte kaluar nga e bardha te e verdha, e kuqja e në fund e zeza. As trimat e tij nuk qenë më të qetë: frika u kishte nxjerrë jashtë përdorimit aq shumë rroba, sa në mexhlis u paraqitën më tepër të mbuluar sesa të veshur.
Demir Demo kishte siguruar hua bizhame me flutura, galloshe dhe një jamerrlluk. Ulësia mbante kostum ushtarak me lara dhe helmetë gjermane; Babon e vështronte me përkushtim si faraonin, i bindur se në ditët e gazepit kishte cicëruar si duhej dhe tani i takonte ylyfeja. Sofian lozonjari kishte zgjedhur pantallona të shkurtra rozë, me gjarpërinj të zinj, dhe një bluzë zhapone me luanë. Pirro Dengu, si arlekin, zinte vend pas ish Buçkos. Vullnet Sina kishte tirq e brucë.
Pandi Majko dukej sikur sapo kishte dalë nga një legjendë: fustanellë, kollçakë, fistan, një kapele të ngjashme me atë të Mihal Gramenos dhe jatagan në brez. Por të mos mbetemi gjatë te veshjet.
Edhe Kronika kishte menduar të rrinte përkohësisht e fshehur, si Babua. Në muaj të përhirtë, sapo kuptojnë se nuk je gomar, të ngarkojnë dhjetë herë; në këto anë i njomi paguan për të thatin dhe mund të marrësh kopaçe kur pret jabrash. Kryeautori doli nja dy herë në krye të protestave vetëm pasi Kryezëvendës Lideri Flamur i dha besën se gjaku do të shkonte në gju të kalit po t’i prekej qoftë edhe një qime.
Flamuri shpalli solemnisht se gratë dhe fëmijët i kishte nën mbrojtje. Ata pas tij e admiruan; unë u ndjeva fëmijë. Kur Jorushi i Tabakëve dhe Sajme Koreshi dalin në mexhlis si zëri i popullit e i Zotit, pse të mos dalë edhe kronikani? Kostaqi, që shpesh ishte ofruar të bëhej theror, mori bukë me vete dhe zbriti në qilaret e akademisë për të gdhendur ashkla nga një enciklopedi. Në të vërtetë, vigjilonte pranë Tabirit, mos dikush i vinte flakën fronit të Nikollaqit.
Pasi u djersit nja dhjetë herë, Kronika vendosi se ia vlente të dilte dhe tregoi guxim kur të tjerët nuk u dukën. Dje kuptoi se kishte rrënjë të thella, të ushqyera nga dëshira e njerëzve për të qeshur. Gjashtë a shtatë veta nga brenda u bënë korrespondentë të saj pa pagesë. E nxisnin të bënte humor, të dëshmonte për historinë, të jetonte për të treguar e të mos tradhtonte fisin. Një sekretari e tërë zbardhte mesazhet zanore të regjistruara dhe ato me shkrim.
Nga salla vinin hungërimat dhe gulçimet e Babos, mundimi për të kapërdirë pështymën dhe fshirja e qyrrave të Klosit. Ndiheshin ftohtësia siberiane e Belës, frymëmarrja si tufan e Mamicës, klithmat e Xhafës, kolla e thatë e Taos, dremitja e Dilos, rënkimet e Borës, kruarjet e Paulin Nufit dhe zotimet e Termesë për t’i shpullosur, një nga një, ata që braktisën mejdanin në ditën e kiametit.
Kur Babua u ngrit, salla heshti si varr. Vetëm nga fundi u dëgjuan dy krisma frike prej tytave të poshtme. Pas një pritjeje të gjatë, ai goditi foltoren me grusht, ngriti duart e gjakosura dhe tregoi “stigmat”, si Padre Pio. U tha atyre se ishte kryqëzuar për “Xhudat” e veta dhe se Zoti i kishte folur: pa të, sipas tij, nuk vlenin asgjë. Pastaj i quajti, me pauza mes fjalëve, maskarenj, piserë, zuzarë, zabërhanë, teveqelë e kopukë.
Siç tregonin filmimet amatore, ai rrotulloi sytë dhe një “hëëë” e zgjatur përshkoi ngrehinën. I akuzoi se i kishin blerë qefinin, shkruar nekrologjinë dhe qeshur me mendimin se kishte marrë fund. Dy herë të tjera ra grushti mbi dërrasë. Hesapet, u tha, i kishin bërë pa hanxhinë; tani do t’u shkonte me hanxhar. Ervin Hoxha u rrëzua përtokë nga të dridhurat dhe askush nuk guxoi ta ngrinte për disa minuta.
Më pas Babua shpalli se dy vetave do t’u shkonte në hell: Mamicës dhe mirditorit Plarent. Kulakët, tha, mbeten kulakë, ndërsa partia e Enver Hoxhës nuk mund t’i mohojë traditat. Mamicës iu drejtua veçmas: prej asaj dite nuk do të ishte më Gjergji i saj, ndërsa vetë e quajti veten një Skënderbe të pafat.
U dëgjua një vajtim si ai i plakës Nice. Tezja, Ekonomi, Antoneta dhe Zeniqeja iu bashkuan me dërrmë; Çuçi u zgjati një shami për të tharë lotët. Babua vazhdoi ta akuzonte Mamicën se, në ditët e tij të këqija, i dërgonte letra, shkruante statuse, propozonte kontrata të reja dhe vishej si Çe Guevara, ndërsa sorrat e korbat i çukisnin mëlçinë. E quajti “Flamingo” dhe i tha se, nëse synonte t’i zinte vendin, duhej të priste te shkallët e PS-së, ashtu siç kishte bërë ai dikur.
Në emër të kishës së vet, shpalli se do ta shkishëronte e dëbonte si Jovan Bardhin. E mallkoi dhe e ftoi të fliste, duke i thënë se ishte hera e fundit që ndodhej mes tyre. Mamica u ngrit si profeti përpara mbretit: gjithçka mund të ishte humbur, përveç nderit dhe gjykimit të Zotit.
Ajo pranoi ta quanin “Flamingo” nëse kjo do të thoshte të kërkonte një Shqipëri më të mirë, zgjedhje të lira e të ndershme pa të fortë, qeverisje në vend të sundimit, luftë kundër korrupsionit e krimit dhe dinjitet përpara nënshtrimit. Kujtoi se ishte bashkuar me të duke besuar, pa drejtorë e pa pushtet pas vetes. Në anën tjetër të telefonit, dëgjuesit shprehën habinë: për ta ishte herezi që Mamica e vogël t’i dilte kundër Babos së madh.
Fatmir Xhafa e kritikoi herë pas here, por foli edhe ëmbël për t’ia bërë qejfin Babos që turfullonte. Përfundimi i tij ishte që mund të kishte ndëshkime, qortime, autokritikë e hapje zemre ndaj partisë, por jo përjashtime.
Pastaj u ngrit Majkua. Ai tha se “Sodoma e Gomorra” ndodheshin mes tyre dhe se zderhalljet, qejfet, ndezullitë dhe paratë e pushtetit ishin regjistruar në një mijë orë video. Kërkoi dorëheqje dhe largim. Shumica e pa me inat: po të largoheshin të gjithë ata, mërmëritën, salla do të shkretohej. Babua e ndërpreu me një “Sus!”.
Braçja, i murrëtyer prej muajsh dhe trozovaç si gjithmonë, sokëlliu si Rrapo Hekali. Duke e zbukuruar pak për mirë, tha se e tyrja ishte parti e lirisë, jo e përjashtimeve: edhe nëse bie një Mamicë, ngrihen mijëra të tjera. Ulësia pyeste veten ku i shihte ai këta mijëra, ndërsa priste me padurim ndryshimet në qeveri, që do të bëheshin në një moment të dytë. Babua mendoi t’i merrte me të mirë Xhafën e Majkon, nga frika se kritika dhe kundërshtimi i përjashtimeve po ktheheshin në prirje.
Damua deshi të fliste teksa shihte kaçurrelat e përfolura të Mamicës që, në rrëfim, po merrnin flakë. Por iu kujtua Ditmari: me çantën në shpinë si turist hungarez, pa gjetur prehje dhe duke ngrënë herë pas here akullore në këmbë. U rrëqeth dhe zgjodhi të heshtte. Nikollaqi rrinte i përhumbur si në ajodhimë; kishte marrë një kompliment modest, por më mirë se hiç. Ogi përpiqej të zgjohej si pas një ëndrre të pakuptueshme. Toni kishte etje, gjuhë të tharë e dhimbje koke, por nuk gjente ujë. Rifat Salla i bujqësisë ngjante me një bust të trishtuar.
Karakaçi ndihej më i lehtë kur kujtonte kohën kur ishte askush. Gonxhe hante fshehurazi, herë një gurabi e herë një sham. Babua, për t’i zgjatur jetën Kronikës dhe për të nderuar bashkëpunimin e besueshmërinë, lexoi një pjesë të mëparshme të saj kur iu drejtua Etildës si antimodel: e qetë dhe punëtore. Le të thotë ç’të dojë zonja Kore; ajo punon natë e ditë për pak dritë, pa mandat e pa qeveri, e ngujuar në Kryeministri. Në cepat e syve iu mblodhën lot të butë e të kristaltë. Rikthimi po afrohet!
Tao qëndronte si një zaif i flijuar për kauzën, megjithëse zemrën e kishte të gjerë dhe dinte të falte. Klosit iu desh t’i vinte kapak çështjes dy herë. Fillimisht, pas asamblesë, ai foli i plogësht dhe i paqartë, pa u kuptuar ç’fat i priste Mamicën e Plarentin. Pasdite Babua e telefonoi, e qortoi rëndë dhe i dërgoi një tekst tjetër: të dy i kishin larë duart me “Forumet”.
Nëse është ende ai që njohim, Bledion Nallbaja nuk mund ta përballojë këtë gjëmë. Për erzin e Mamicës ishte gati të përleshej me fuqitë e mëdha, shkjetë, grekët, turqit e madje vetë Naton. Tani sheh dorën e dushmanit t’i prekë qerpikët dhe ta kthejë nga motër në hasëm, duke i hequr emrin.
Frika po vjen drejt Tiranës me uturimën e Devollit në dimër. Përpara janë net epike. Nikollaj Gogoli kishte qenë aty dje; kur u largua, Çiçikovin nuk e mori me vete. E la mes nesh.








