Familja dhe të afërmit e Klarita Ismalaja, e cila u qëllua dje për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj janë të shokuar. 45-vjeçarja përcillet sot për në banesën e fundit në vendlindjen e saj në Fushë-Krujë.
Të tronditur nga ngjarja, një e afërme jashtë kamerave e ka cilësuar autorin, Artan Ismalaja si vrasës gjakftohtë. Sipas saj ata nuk kanë pasur probleme dhe se ai e quante gjithnjë si princeshën e tij.
E afërmja po ashtu përjashton xhelozinë si motiv të vrasjes. Ajo thotë se më 3 korrik Klarita ka festuar ditëlindjen dhe të nesërmen kanë qenë në plazh së bashku.
“Nuk ishte rrugaç. Ai u bë një vrasës gjakftohtë me princeshën e vet sepse atë e ka quajtur gjithmonë princeshë. Nuk kanë pasur debate. Më rehat se këta nuk ka pasur të tjerë. Nuk ka qenë xhelozi. Ditëlindja e saj ka qenë me 3 korrik. Kanë festuar një ditëlindje të mrekullueshme. Të nesërmen kanë shkuar në plazh. Ndoshta kanë mbajtur kujtimet më të bukura të jetës së vet. të nesërmen në orën 10:00 jemi shokuar të gjithë,” shprehet e afërmja për ABC./abcnews.al