Nga Jan Kallberg “Center for European Policy Analysis”
Përktheu:Alket Goce-AlbEu.com
Një atmosferë e zymtë mund të vërehet shumë lehtë në shkrimet e analistëve perëndimore javët e fundit mbi kundërsulmin e Ukrainës, që sipas tyre ka shënuar pak përparim. Mediat kryesore të lajmeve në SHBA citojnë agjencitë e inteligjencës, që mendojnë se situata në front është e “zymtë”, dhe se po shuhen shpresat që Ukraina të arrijë objektivin e saj, çlirimin e qytetit Melitopolit, më shumë se 90 km larg nga vija e frontit.
Por kjo analizë është e gabuar. Analistët e inteligjencës mund ta shohin hartën e Ukrainës Jugore, duke llogaritur distancat. Edhe planifikuesit ushtarakë do të përdorin matematikën ushtarake dhe do të shohin diçka shumë të ndryshme. Ata e dinë se për të shtypur ushtrinë ruse dhe për të shpartalluar trupat në fortifikimet e vijës së parë, nuk kanë nevojë të përparojnë 90 km.
Për këtë mjaftojnë edhe vetëm 16 km. Pse? Sepse ndonëse do të ishte mirë nëse trupat ukrainase do të depërtonin deri në brigjet e detit Azov, ato nuk duhet ta bëjnë këtë. Përkundrazi, ata mund të arrijnë një rezultat të rëndësishëm operacional duke vendosur armët e tyre pranë linjën tokësore të komunikimit të Rusisë (GLOC).
Më 22 gusht, trupat ukrainase çliruan fshatin Robotyne, rreth 90 km nga Deti i Azov, një arritje e madhe duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha të pushtuesve rusë për ta fortifikuar dhe mbajtur atë. Nga atje, ukrainasit duhet të përparojnë edhe 10-15 km të tjera, në mënyrë që të mund të zhvendosin armët e tyre në rrugët e transportit lindje-perëndim të Rusisë, të cilat janë jetike për aftësinë e ushtrisë dhe forcave të saj për të luftuar.
Në rast se Ukraina do të jetë në gjendje të ndërpresë këto lidhje rrugore dhe hekurudhore, është shumë e vështirë se si ushtria ruse mund të vazhdojë të luftojë. Kjo gjë nuk do të jetë e lehtë, por është e arsyeshme të mendohet se do të ndodhë.
Ajo do të arrihet duke përdorur aftësinë e saj indirekte – fillimisht Sistemin M142 të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS), si dhe M270 Multiple Launch Rocket Systems (MLRS), me rreze rreth 80-90 km. Dhe më vonë të artilerisë 155 mm me një rreze goditjeje mbi 40 km.
Këto armë janë jashtëzakonisht më të afta sesa artileria që zotëronte Ukraina para luftës, 152 mm e stilit sovjetik dhe që ka një rreze veprimi prej vetëm 17-20 km. GLOC i Rusisë nuk shtrihet përgjatë rërës së brigjeve të detit Azov, por më tepër në brendësi të vendit dhe për rrjedhojë më afër përparimeve të Ukrainës.
Autostrada M14 që kalon në drejtimin lindje-perëndim, dhe kryesisht paralelisht me vijën bregdetare, ndodhet rreth 7-10 km nga bregu. Aty pranë është edhe korridori më i gjerë logjistik, ku rusët kanë vendosur depot e furnizimeve ushqimore dhe municionit, depozitat e karburantit, postet komanduese të nivelit më të lartë, njësitë rezervë dhe hekurudhat logjistike.
Ky korridor logjistik, bëhet gjithnjë e më i ngushtë për çdo centimetër që çlirojnë ukrainasit. Sapo asetet ruse të lart-përmendura të jenë brenda rrezes së goditjes nga MLRS-të ukrainase, udhëheqja e lartë ruse do të gjendet para zgjedhjeve thuajse të pamundura.
A do të jetë ajo në gjendje të mbështesë operacionet në perëndim të Melitopol, kur çdo aspekt i përpjekjes së tyre luftarake është nën zjarrin e ushtrisë ukrainase? Me afrimin e dimrit, situata logjistike në perëndim të Melitopolit ka të ngjarë të përkeqësohet.
Siç ndodhi në bregun perëndimor të lumit Dnieper vjeshtën e kaluar, edhe Vladimir Putin do të detyrohet të pranojë realitetin. Ai mund të luftojë dhe të rrezikojë dorëzimin masiv të trupave ose të tërhiqet. Sido që të ndodhë, do të shkëputet e ashtuquajtura urë tokësore nga Rusia në Krime.
Pra komandantët rusë nuk do të mendojnë se kanë 90 km hapësirë të sigurt pas shpine. Ngushëllimi i tyre i vetëm, është se ukrainasit nuk mund ta vendosin artilerinë MLRS në pjesën përpara zonës së betejës. Këto njësi janë jashtëzakonisht të vlefshme dhe duhet të përdoren nga pozicione më të sigurta 10-15 km pas vijës së frontit.
Komandantët operativë nga të dyja palët i dinë mirë llogaritë: nëse ushtria ukrainase është 90 km nga Deti Azov dhe MLRS ka një distancë maksimale prej 90 km, por duhet të vendoset 10 km pas vijës së frontit, atëherë ukrainasit duhet të përparojnë edhe 10 km në jug për të mbuluar të gjithë terrenin që shtrihet midis tyre dhe Detit Azov.
Ukraina po i afrohet tashmë këtij qëllimi në disa pika përgjatë vijës së frontit, duke ofruar mundësinë që artileria e saj raketore të jetë në gjendje të godasë urën tokësore ruse nga këndvështrime të ndryshme. Pasi të ndodhë kjo, do të ketë një efekt domino.
Të gjitha rrugët dhe hekurudhat me drejtim lindje-perëndim do të jenë brenda rrezes së goditjes. Dhe në atë moment, kompanitë private ruse nuk do të jenë më të interesuara të rrezikojnë shoferët e tyre dhe kamionët e tyre 150.000 dollarësh për një pagesë prej vetëm
700 dollarësh për transportin e mallrave nga Mariupol në rajonin e Kherson.
Rusia ka përdorur prej muajsh kompanitë e transportit civil dhe ofron pagesa shumë të mira. Por mundësia e një sulmi nga artileria ukrainase i ndryshon llogaritë, duke krijuar rrezikun e vdekjes së shoferëve dhe falimentimit financiar.
Një kamion modern privat 18 metra i gjatë mund të transportojë 15-30 ton furnizime, krahasuar me një kamion “Kamaz” të ushtrisë ruse, që mund të transportojë vetëm disa tonë. Natyrisht kompanitë private mund të urdhërohen, shtetëzohen ose të detyrohen të furnizojnë ushtrinë.
Por kjo mbart rrezikun e zhgënjimit ose zemërimit të drejtpërdrejtë ndaj Kremlinit. Pastaj ka edhe probleme të tjera. Ndërsa autoritetet pushtuese të Rusisë pretendojnë se Krimeja banohet nga 2.5 milionë njerëz, numri i vërtetë i tyre në gadishull ka të ngjarë të jetë afër 1.5 milionë.
Në kushtet kur ura tokësore e Rusisë do të jetë e ndërprerë apo e mbyllur si pasojë e zjarrit të drejtpërdrejtë të forcave ukrainase mbi të apo edhe nga kërcënimi i vetë Ukrainës, Krimea do të furnizohej vetëm nga Ura e Kerçit ose nga deti.
Në atë moment, Kremlini do të detyrohet të bëjë disa zgjedhje të vështira. Ose popullsia e Krimesë do të përjetojë mungesa të mëdha gjatë dimrit të ardhshëm, ose ushtria do të funksionojë akoma më keq. Kapaciteti i Urës së Kerçit ka të ngjarë të mos mjaftojë për të furnizuar pjesën perëndimore të frontit dhe popullsinë civile.
Por si do të reagojnë rusët në Krime? Nuk e dimë, por sulmet e mëparshme të ushtrisë ukrainase kanë shkaktar një eksod të popullatës civile. Dhe ky nuk është një mesazh që do të mirëpritej nga Moska. Ndërkohë, gjithçka po fokusohet tek përparime 7-10 km nga Robotyne dhe zona të tjera të vijës së frontit.
Si gjithmonë, luftimet dhe të vdekurit janë një barrë që do të bjerë mbi ukrainasit, por Perëndimi duhet të sigurojë që ushtria e Ukrainës të ketë sisteme të mjaftueshme artilerie raketore, municione dhe mbështetje për të arritur synimin e saj.
Shënim:Jan Kallberg, asistent/profesor në Departamentin e Shkencave Matematikore në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara.