Të paktën 10 persona humbën jetën dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i fishekzjarrëve në një kishë në Meksikë, gjatë kremtimit të Ditës së Shenjtorit Mbrojtës, njoftuan autoritetet të dielën.
Ngjarja tragjike u regjistrua të shtunën në mbrëmje në komunitetin Santa Maria Cantata, në shtetin e Meksikës. Sipas qeverisë, fishekzjarrët shkaktuan zjarr në një ndërtesë të famullisë që shërbente si depo, duke aktivizuar eksplozivët që ndodheshin brenda saj.
Të lidhura
None found
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë se shpërthimi ndodhi teksa dhjetëra persona, të mbledhur përpara kishës, po kremtonin djegien e një “demi” tradicional të mbushur me fishekzjarrë, të cilin banorët e kishin sjellë me një karrocë.
Menjëherë pas shpërthimit të fuqishëm, flakët përfshinë sheshin e komunitetit, ndërsa pjesëmarrësit u larguan në panik për t’i shpëtuar zjarrit.
