Fermerët “thyejnë” edhe Brukselin, Komisioni Evropian tërhiqet nga vendimi për të mbajtur një pjesë të tokës të pambjellë

Komisioni Europian është tërhequr për një nga kërkesat kryesore të fermerëve pas protestave të këtyre të fundit, që kanë paralizuar shtetet kryesore të kontinentit.

Bëhet fjalë pikërisht për rregullin që iu kërkon fermerëve të lënë 4 deri në 7% të tokave të tyre të pambjella si një përpjekje për të rritur produktivitetin e dheut dhe biodiversitetin.

Komisioni Europian ka bërë një kërkesë për secilin shtet, që ky rregull të mos hyjë në fuqi të paktën deri në vitin 2025.  Kjo vjen si përgjigje ndaj protestave të shtuara në javën e fundit kryesisht në Francë dhe Belgjikë.

Këtë të mërkurë autokolonat e traktorëve mbërritën deri në qendër të Brukselit dhe u parkuan afër institucioneve kryesore.

Gjithashtu në Francë, fermerët kanë bllokuar rrugët kryesore që të çojnë drejt Parisit, ndërsa kanë paralajmëruar se do të bllokojnë aeroportet dhe tregun më të madh agroushqimor që furnizon kryeqytetin.

Më herët ministri i Punëve të Brendshme, Gerlad Darmanin, bëri se këtë të mërkurë janë rreth 10 mijë protestues, të cilët me mjetet e tyre bujqësore janë bërë barrikadë në 100 pika në akset më të mëdha.

Deri më tani reagimi i autoriteteve ndaj protestuesve ka qenë i butë, por ministri ka paralajmëruar fermerët të mos i kalojnë vijat e kuqe.

“Ata nuk mund të sulmojnë policinë, nuk mund të hyjnë në tregun e shumicës, nuk mund të hyjnë në aeroportet e Parisit apo në qendër të qytetit. Më lejoni t’ju them përsëri se nëse ata përpiqen ta bëjnë këtë, ne do të jemi atje për tu përgjigjur”, tha ministri i punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmanin.

Në Greqi dhe Itali gjithashtu ka patur protesta të fermerëve, të cilët kanë kërkuar më shumë mbështetje financiare.


Shtuar 31.01.2024 16:24