Ferdinand Gjana në “Refleksione”: 2/3 e botës në diktaturë, dy arsyet pse pëlqehet autoritarizmi (VIDEO)

Dr. Ferdinand Gjana, rektor i Kolegjit Universitar “Bedër” ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Refleksione” në ABC ku foli për shumë çështje, mes të cilave edhe për sistemet autoritare.

“Në botë 2/3 e vendeve jetojnë në sisteme diktatoriale apo autoritare. Pas viteve ’90 me rënien e komunizmit, demokracia u përvetësua nga vende të ndryshme në mbarë botën. Por sidomos pas vitit 2001 me aktet terroriste dhe rritjen e pasigurisë, autoritarizmi filloi të fitojë hapësirë dalëngadalë.

Dy arsyet sipas ekspertëve përse pëlqehet është; njëra dimensioni i sigurisë, tjetra arsye biologjike. Siguria ka të bëjë me atë që në momentin që në një vend rritet problematika e sigurisë, ekonomike apo sociale, njerëzit afrohen me shumë me figura autoritare për të qenë më të sigurt.

Këtë e shikojmë edhe në vende të konsoliduara. Rasti biologjik është shumë interesat, pasi sipas hulumtimeve, kemi që 1/3 e shoqërisë preferon biologjikisht figurat autoritare, kjo e bën të brishtë ekuilibrin mes lirive dhe autoritarizmit” tha ai.

Gjana theksoi se njeriu pa shpresë nuk ka asnjë kuptim të jetojnë. “Pa shpresë nuk do të kishte njerëzim. Njeriu pa shpresë nuk ka asnjë kuptim të jetojnë. Shpresa është një forcë e fortë emocionale, shpirtërore, e cila e shtyn njeriun drejt ditëve më të bukura dhe nëse nuk i arrin, ndenja e shpresës i jep një përjetësi, ndjesi të ëmbël, pozitive” tha ai. Abcnews.al

 

Shtuar 6.05.2021 11:05