Shqipëria renditet si një nga 10 vendet që ka numrin më të lartë të të burgosurve në Europë, në raport me popullsinë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat.
Sipas të dhënave, që për Shqipërinë janë të disponueshme për vitin 2023, në vend kishte 182 të burgosur për 100 mijë banorë, nga 113 që është mesatarja e Bashkimit Europian për 2024 dhe 111 në 2023-n.
Të lidhura
None found
Rekordin në Europë e mban Turqia, që në vitin 2024 kishte 342 të burgosur për 100 mijë banorë, gjithsesi me rënie nga viti i mëparshëm, kur shifra ishte 449.
Mali i Zi kishte 170 të burgosur për 100 mijë banorë në 2023-n, ndërsa në 2024-n treguesi u rrit në 191, duke kryesuar në rajon, së bashku me Shqipërinë. Edhe Serbia ka shifër të lartë, në 173-176, për 100 mijë banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut është e fundit (133-134).
Nuk ka të dhëna për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën.
Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2024, në BE kishte 1 të burgosur për çdo 883 banorë, ose 113 të burgosur për 100 mijë banorë, pak më shumë se në vitin 2023, kur norma ishte 111.
Në vitin 2024, norma më e lartë e të burgosurve për 100 mijë banorë në BE u regjistrua në Hungari, me 193, e ndjekur nga Polonia, me 191, Letonia, me 187, dhe Çekia, me 178.
Norma më e ulët ishte në Finlandë, me 57, e ndjekur nga Holanda, me 67, si dhe Danimarka dhe Gjermania, secila me 70.
Në vitin 2024, në BE kishte rreth 509 mijë të burgosur, ose 8.0% më pak se në vitin 2012, kur numri arriti në rreth 553 mijë, niveli më i lartë që nga viti 1993.
Pas një periudhe stabiliteti në vitet 2017-2019, numri i të burgosurve ra me 6.6% në vitin 2020, me gjasë si pasojë e masave të lidhura me COVID-19. Më pas, nga viti 2021 deri në 2024, numri i të burgosurve u rrit gjithsej me 9.8%.
Shqipëria ka nivelin më të ulët të grave të burgosura në Europë
Në Shqipëri, pjesa më e madhe e të burgosurve janë meshkuj, ndërsa përqindja e femrave është më e ulëta në Europë, me vetëm 1.4%. Mesatarja e femrave të burgosura në Bashkimin Europian është 5.5%. Në rajon, rekordin e mban Serbia, ku gati 5% e të burgosurve janë gra.
Sipas Eurostat, në vitin 2024, në BE 1 në 18 të burgosur të rritur ishte grua, ose 5.5% e popullsisë totale në burgje, pothuajse njësoj si në vitin 2023, kur ky tregues ishte 5.4%.
Pesha e grave në burgje ndryshon sipas vendeve të BE-së. Në vitin 2024, përqindja më e lartë u regjistrua në Hungari, me 8.7%, e ndjekur nga Çekia, me 8.6%, Malta, me 8.4%, dhe Suedia, me 7.9%.
Përqindja më e ulët ishte në Francë, me 3.4%, e ndjekur nga Belgjika, me 4.1%, dhe Bullgaria, me 4.3%./Monitor


