Mazhoranca socialiste rrëzon kërkesën e PD për interpelancë për AKSHI-n, Peleshi: Është në hetim nga SPAK

Kuvendi i ka kthyer përgjigje kërkesave të Partisë Demokratike, për interpelancë për çështjen e Agjencisë Kombëtarë të Shërbimit të Informacionit (AKSHI), duke argumentuar se nuk mund të zhvillohen, pasi janë objekt hetimi penal.

Sipas Kuvendit, një kërkesë e tillë synon në thelb të zhvendosë një çështje që i përket ekskluzivisht organeve të drejtësisë në sallën e Kuvendit, duke krijuar një formë të ashtuquajtur “gjykate politike” mbi informacione që nuk janë përfundimtare nga institucionet gjyqësore.

Të lidhura

None found

“Së pari, interpelanca si instrument kushtetues i kontrollit parlamentar nuk mund të përdoret që anëtarët e Këshillit të Ministrave të japin shpjegime mbi çështje që janë nën hetim penal, për të cilat ata nuk kanë as kompetencë për t’u shprehur dhe për të cilat çdo ndërhyrje apo komentim do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Së dyti, përmbajtja e kërkesës, në thelb, përbën një përpjekje për të transferuar në sallën e Kuvendit një debat që i përket ekskluzivisht juridiksionit të organeve të drejtësisë, duke synuar krijimin e një ‘gjykate politike’ mbi bazën e informacioneve të paadministruara në mënyrë përfundimtare nga autoritetet gjyqësore. Një qëndrim i tillë bie ndesh me standardet kushtetuese të shtetit të së drejtës dhe me rolin e Kuvendit si organ ligjvënës dhe jo si organ hetimor apo gjykues.

Së treti, pyetjet e drejtuara në kërkesë presupozojnë ekzistencën e dijenisë së Kryeministrit mbi elementë të detajuar të një hetimi penal, ç`ka nuk gjen mbështetje në asnjë normë ligjore. Kryeministri nuk ka detyrimin ligjor të ketë dijeni mbi përmbajtjen e dosjeve hetimore, as nuk mund të kërkohet prej tij të komentojë mbi to, për aq kohë sa këto çështje janë nën juridiksionin e organeve të drejtësisë.

Së katërti, referimi i vazhdueshëm në raportime mediatike nuk përbën qëllim për realizimin e interpelancës si formë e kontrollit parlamentar, sidomos në raste kur çështja është në proces hetimi dhe nuk ka një konstatim përfundimtar nga organet kompetente.

Së pesti, vetë natyra e çështjes së ngritur, e lidhur me hetime për vepra të rënda penale, përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar, kërkon një trajtim në kuadër të procedurave penale dhe jo një debat politik paralel, i cili mund të cenojë hetimin e çështjes dhe të ndikojë në perceptimin publik mbi procesin e drejtësisë”, thuhej në përgjigjen e kthyer nga Kuvendi për Partinë Demokratike.


Shtuar 7.05.2026 12:11