Gazetarja Klodiana Lala e përshkroi gjendjen në landfillin e Sharrës si një minë me sahat që rrezikon jetën dhe shëndetin e banorëve të Tiranës. Ajo deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se inertet po hidhen nëpër lumenj kuturu dhe nuk reagon askush.
“I qëndroj idesë që Shqipëria është në emergjencë mjedisore. Ju kam nxjerrë një shkresë ku bashkitë janë informuar dhe u është kërkuar ndarja e mbetjeve në burim. Situata në landfillin e Sharrës është katastrofike, është bombë dhe minë me sahat për Tiranën. Ia kanë kaluar kësaj agjencie për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Ka patur dhe konflikt, sepse agjencia nuk merrte përsipër të bënte kontrata. Është bërë në kaq vite ping-pong sepse askush nuk guxon të fusë duart në një çështje që mund të shkojë në burg. Ku vendim për ta hequr Këshilli i Ministrave një agjencie, për të bërë kokë turku Sulejmanin. Jo vetëm qytetarëve do t’u kushtojë shumë, por është problematike sa i përket mjedisit. Qeveria nuk mund të sillet me një sy qorr dhe vesh shurdh. Sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Po të shohësh se ç’ndodh me lumenjtë, kupton se inertet po hidhen kuturu. Sot që flasim po kryhet krim ditën për diell dhe nuk reagon askush”- tha Lala.