Ermonela Jaho sjell emocion të madh në Gjakovë

Ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, solli në Gjakovë një nga performancat më të fuqishme të karrierës së saj, duke ndërthurur kryevepra operistike me rrëfime të dhimbjes dhe historitë e plagëve të luftës në Kosovë. Koncerti “Një zë, një komb”, i mbajtur në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”, u shndërrua në një homazh për dy nënat: Pashkë Krasniqin dhe Ferdonije Qerkezin.

E shoqëruar nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës nën drejtimin e mjeshtrit spanjoll Sergio Alapont, Jaho solli arie të Puccinit, Bellinit dhe veprave shqiptare, duke i vendosur në kontekstin e historive të dhimbshme të Gjakovës. Në program u përfshinë “O mio babbino caro”, “Un bel di vedremo”, “Senza mamma” dhe “Casta diva”, të interpretuara me një emocion të jashtëzakonshëm.

Në disa momente, Jaho thirri në skenë këngëtare gjakovare nga tre breza të ndryshëm, ndërsa kori i fëmijëve u bë pjesë e skenës.

Pjesa kulmore e mbrëmjes erdhi me dedikimin për historitë e nënave që kanë humbur fëmijët në luftën e fundit. Ajo e lidhi në mënyrë të veçantë me historinë e Ferdonije Qerkezit, e cila prej 26 vitesh pret lajme për dy djemtë dhe bashkëshortin e zhdukur.

E prekur deri në lot, Jaho tha se takimi me nënën Ferdonije e kishte tronditur thellë: “Ndjeva një detyrim moral që këto histori të mos harrohen. Kjo mbrëmje më ka bërë njeri dhe artiste më të mirë”.

Elemente të identitetit kombëtar si xhubleta dhe lahuta e shoqëruan skenën, duke e kthyer mbrëmjen në një ndërthurrje të fuqishme mes artit botëror dhe historisë shqiptare. Për Gjakovën, kjo performancë mbetet një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme të viteve të fundit.


Shtuar 17.11.2025 16:30