Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, ku janë marrë të pandehur 3 persona. Të pandehuri janë Armando Ndreca, 30-vjeç vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca si dhe dy të pandehurit e tjerë, Armel Nikdukaj dhe Elvis Spellzaj.
Prokuroria e Lezhës i akuzon ata për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”. Bëhet me dije se seanca paraprake do të zhvillohet në ditët në vijim nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili do të vendosë ndaj kërkesës së prokurorisë për kalimin e çështjes në gjykim.
Ndreca dhe dy të tjerët kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës pranë fshatit Kashnjet. Gjatë operacionit të policisë u sekuestruan 2973 bimë kanabis sativa, disa prej të cilëve fidanë të gatshëm për t’u mbjellë, një sasi kanabisi, 50 llampa, pajisje ventilimi si dhe sende të tjera që i shërbejnë veprimtarisë kriminale.