Emrat/ Kush janë dy të arrestuarit e tjerë bashkë me ish-ministrin Ilir Beqaj

Janë zbardhur emrat e dy personave të tjerë, të cilët janë arrestuar bashkë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të hetimeve të SPAK për korrupsion dhe fshehje pasurie në lidhje me abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) nga BE.

Burime bëjnë me dije se në pranga janë vënë Ermal Kurtulaj, një nga njerëzit më të besueshëm të Beqajt, si dhe shtetasi Alfred Nikolla.

Ermal Kurtulaj, ka qenë koordinatori i projektit EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Mësohet se në total janë lëshuar 5 urdhër-arreste, ku për tre prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” dhe për dy të tjerë masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Pasi ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët dyshojnë se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Ermal Kurtulaj, ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.


Shtuar 4.07.2024 09:38