Edhe Tirana drejt tkurrjes, numri i lindjeve ra me 9% në 9-mujorin e parë të vitit 2022

Tranzicioni i fortë demografik me rënie të lindjeve dhe me emigracion të lartë nuk po kursen as kryeqytetin.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në 9 mujorin 2022 në qarkun e Tiranës lindën 6,306 bebe me rënie 9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë vitit 2021. Ky numër lindjesh në Tiranë është me i ulëti së paku që nga viti 2011 që kur nisën të raportohen të dhënat e lindjeve sipas qarqeve (shiko grafikun në fund).

Në rang kombëtar numri i lindjeve është futur në trend rënës që në vitet e para të tranzicionit nga mbi 82 mijë në vitin 1990 në rreth 27 mijë në vitin 2021. Por ndryshe nga qarqet e tjera, Kryeqyteti ka njohur rritje të numrit të lindjeve për shkak të migrimit të brendshëm të popullsisë nga qarqet drejt qendrës dhe krijimi i familjeve të reja prej studentëve në Tiranë duke mos u kthyer në rrethe.

Rënia e numrit të lindjeve në Qarkun e Tiranës vjen në tendencë të kundërt me shifrat e popullsisë që të paktën për kryeqytetin po vijnë në rritje vit pas viti edhe pse me ritme më të ulëta.

Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e Qarkut të Tiranës arriti në 1 janar 2022 në 919, 511 persona, 7032 më shumë se në janar 2021 me zgjerim 0.8%. Popullsia e Tiranës është rritur përkatësisht e 16-17 mijë banorë të rinj në vit nga viti 2001 deri në vitin 2015, por në vitet 2017 dhe 2018 kjo rritje ishte më e dukshme.

Në vitin 2017 Tirana u rrit u shtua me 19.4 mijë banorë të rinj dhe në vitin 2019 kjo shtesë i kaloi të 21 mijë persona. Por në tre vitet 2018 dhe 2020 dhe 2021 shtesa e popullsisë shënoi një ngadalësim të ndjeshëm.

Sipas Anketës se Emigracionit Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7%, ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019. Nga këto 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera. Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut të Tiranës kanë emigruar. Gjithashtu popullsia e Tiranës është në presionin e rënies së lindjeve.

Edhe pse popullsia e Kryeqytetit ka frenuar ritmet e rritjes, oferta për banesa është rritur nga flukset e mëdha të ndërtimit në vitet e fundit. Kjo ecuri teorikisht duhet të ushtronte presion në uljen e çmimeve të banesave, por në realitet po ndodh krejt e kundërta. Sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 40 për qind vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2022.

Rritja e shpejtë e çmimeve të banesave në Tiranë e ka bërë kryeqytetin jo atraktiv për çiftet e reja.

Pak kohë më parë agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se çiftet e reja nuk po investojnë në Tiranë për të krijuar familje. Ata preferojnë të rrinë më qira, deri sa të përgatisin infrastrukturën për të emigruar.

Investimet në ndërtimin e banesave në Tiranë, por rriten me shpejtësi, për të gjitha llojet, rezidenca, hotele dhe qendra tregtare, por ndërkohë çmimet kanë arritur mbi 1000 euro për metër katror edhe ne periferi./Monitor

Burimi: INSTAT


Shtuar 30.11.2022 13:41