Edhe 16 miliardë dollarë të nevojshme për të luftuar pandeminë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se edhe 16 miliardë dollarë duhen për të mbështetur shtetet me të ardhura të ulëta për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Sipas saj, ky buxhet është i nevojshëm për të furnizuar shtetet me vaksina, teste dhe ilaçe, përmes një programi të lansuar nga Kombet e Bashkuara.

“Shkenca na ka dhënë mjetet për të luftuar COVID-19; nëse ato ndahen në botë në shenjë solidariteti, ne mund t’i japim fund koronavirusit si emergjencë globale këtë vit”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas kalkulimeve të OKB-së, 92 për qind e kontributeve të kërkuara, duhet të sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe 20 shtetet më të industrializuara në botë (G20).

Gordon Brown, ambasador i OBSH-së për financim në shëndetin publik, ka kritikuar pabarazinë e madhe në shpërndarjen e vaksinave dhe qasjen në teste dhe ilaçe.

Ai ka theksuar se në vendet e varfra ka shkallë të ulët të vaksinimit, ndërkohë që në shtetet e pasura ka vaksina që pritet t’iu skadojë afati.

OBSH ka vënë synim që 70 për qind e popullsisë botërore të vaksinohet kundër koronavirusit në mesin e këtij viti./REL


Shtuar 9.02.2022 08:33