Një tjetër atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë duke tronditur qytetarët. Një 42-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri, në hyrje të banesës së tij. Viktima është shtetasi Shkëlzen Velaj, i cili u vra me 15 plumba në hyrje të pallatit të tij.
Burimet për albeu.com bëjnë me dije se 42-vjeçari është ndjekur nga një makinë dhe dyshohet se viktima e ka vënë re dhe është munduar t’u shpëtonte.
Në hyrje të pallatit, ai ka lënë makinën ndezur pas pikasjes së makinës së dyshimtë dhe ka tentuar të futet brenda në shtëpi.
Autorët e kanë ndjekur dhe në katin e 5 të pallatit kur ai ka qenë duke hapur derën, atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij.
“Isha atje deri vonë, nëna e mori vesh, për vdekjen i thanë pas orës 2 e gjysmë. Djali i kishte thënë hape derën hape derën, dhe se kishte hapur dot nga zhurma, se ishte tramaksur,” tha fqinja e viktimës.
Rikujtojmë se Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në “Masakrën e Çoles”, e ndodhur në 2015-ën.
Pista e hetimit të vrasjes së 43 vjeçarit është hakmarrja e nxitur si pasojë e vrasjeve të ndodhura në vite, të nisura që nga ajo e Çoles. /albeu.com/