E kam shpinën copë, shenjat janë! Ori Kuçi: Publiku s’ka asnjë faj, artistët po

Ori Kuçi këtë mërkurë ishte në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin, ku foli për jetën e saj të përditshme, marrëdhënien që ka me binjakët e saj, apo dhe se si e sheh ajo muzikën. Ndalur tek dy fëmijët e saj, ajo tha se tanimë janë në momentin kur ata i japin sugjerime për veshjen e saj.  Sa të vështirë e ka pasur Ori sfidën si mami?

“E para nuk jam e divorcuar se nuk jam martuar asnjëherë. Padiskutim që ka qenë e vështirë, fëmijët kanë qenë dy vjeç kur unë jam ndarë nga babai i tyre. Kur unë jam ndarë me babain e fëmijëve nuk ka qenë një ambjent shumë i favorshëm kundrejt ndarjeve, dhe siç e kam thënë dhe do vazhdoj ta them kur një gjë mbaron njeriu duhet të ketë qytetarinë dhe respektin për veten që të lirojë rrugën po themi nga të dyja anët për të vazhduar jetën.”

Ajo nënvizoi se kur gjendesh në situata të tilla, je në 3 role të vetvetes; të nënës dhe babait, por gjithashtu shtoi se figura e babait nuk i ka munguar aspak fëmijëve të saj.

Zhgënjime nga miqtë? A janë lëndimet e miqve të forta?

“Patjetër unë e kam shpinën copë. Shenjat janë, nuk më dhembin… i kam falur sepse mendoj që  ai që të vret ka probleme me veten, ka komplekse dhe mendoj që ka aq shumë besim te ty saqë e di që ti mund t’ja mbash këtë pabesi.”

Ndërkohë ndalur tek muzika, Ori pohoi se ka humbur identiteti i këngëtarëve, pra tani nuk ka më këngëtar që këndojnë vetëm muzikë popullore apo vetëm muzikë të lehtë. Ajo shtoi gjithashtu se prekja e gjuhës shqipe është një pjesë tjetër që e ka me merak në këngët që prodhohen sot.

“Janë bërë të gjitha vetëm balada ose përçunimi i gjuhës shqipe në tekste. Unë mbas vetes, fëmijëve dhe Shqipërisë, gjuha shqipe është e shenjtë për mua. Edhe pse unë jam nga Kosova nuk më duket fare e bukur që të marrësh dialektin e një komuniteti dhe ta bësh të duket kjo si një gjë e lezetshme. Dhe të përçundosh fjalën, ndjenjën dhe të mos kesh me fjalë që të përkthesh emocionin e një artisti për mua kjo është një dramë shumë e madhe”.


Shtuar 26.10.2022 18:26