Një 19-vjeçare me COVID-19 ka sjellë në jetë foshnjën ndërsa ishte e shtruar tek “Shefqet Ndroqi.” Manuela Hemollari, e cila ka Pneumoni Bilaterale për shkak të koronavirusit e ka sjellë në jetë fëmijën më 12 mars. Megjithatë lajmi është bërë i ditur vetëm sot, ndërsa nëna dhe foshnja janë mirë.
Fëmija erdhi në jetë pas bashkëpunimit me sukses të mjekëve të Covid-2 me ata të spitalit “Koço Gliozheni”
Mësohet se prej më se 10 ditësh, nëna e re e diagnostikuar me Covid-19 trajtohej në shtëpi. Por, pasi gjendja e saj shëndetësore nisi të rëndohej, Manuela u shtrua tek “Shefqet Ndroqi”, më 9 mars. Duke qenë se situata klinike po rëndohej dhe jeta e saj e fëmijës po vihej në rrezik, u bë edhe lindja në sallat operatore të spitalit “ Shefqet Ndroqi.”
Lajmi është bërë i ditur vetëm sot pasi mjekët donin që të kishin siguri se si foshnja edhe nëna do të ishin plotësisht mirë.
“Ardhja në jetë e Noelit është një gëzim për të gjithë ne, një ogur i mbarë shprese se jeta do të triumfojë! Urojmë që lajme të tilla të bukura t’i ndajmë çdo ditë me ju,” shprehen mjekët.