EMRAT/ Pezullohen nga detyra 9 punonjës shteti në Korçë

9 funksionarë publikë të disa institucioneve të ndryshme, janë pezulluar nga puna pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Funksionarët e pezulluar ushtronin detyra në Korçë, Tiranë dhe Kolonjë, kryesisht në drejtoritë e mjedisit dhe pyjeve.

Zyrtarët e pezulluar nga puna janë: Gëzim Pasho, Fjoralba Tota, Marin Shpata, Erion Qelemeni, Julian Muke, Kostandin Dishnica, Paqesor Cane, Olsi Jarazi dhe Jorgji Menkshi.

Njoftimi i policisë:

Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Green Forest”.

Operacioni i zhvilluar pas një hetimi disamujor, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kryer nga punonjësit shtetërorë.

Pezullohen nga ushtrimi i detyrës, 9 funksionarë publikë të disa institucioneve të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi disamujor, finalizuan operacionin e koduar “Green Forest”, gjatë të cilit bënë ekzekutimin e masave të sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuar me vendimin e datës 28.03.2022, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për shtetasit:

-G. P., 54 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Pyjeve Korçë);

– F. T., 28 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë (me detyrë drejtore e Drejtorisë së Inspektimit të Pyjeve Tiranë);

– M. Sh., 38 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë përgjegjës i Sektorit Operacional në Drejtorinë e Inspektimit të Pyjeve Tiranë);

– E. Q., 39 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës i Sektorit të Inspektimit të Mjedisit dhe të Ujërave Korçë);

– J. M., 47 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Kontrollit të Territorit Korçë);

– K. D., 51 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Mjedisit dhe të Ujërave Korçë);

– P. C., 61 vjeç, banues në Ersekë (me detyrë kryeinspektor në Sektorin e Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit Kolonjë);

– O. J., 52 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Gazit dhe të Naftës Korçë);

– J. M., 53 vjeç, banues në Korçë(me detyrë inspektor në Drejtorinë e Pajisjeve nën Presion Korçë).

Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në institucionet shtetërore të përmendura më lart, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, me kryerjen apo moskryerjen e veprimeve me dashje, në kundërshtim me ligjin, duke iu sjellë personave të tjerë, përfitime të padrejta dhe duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, shtetasve dhe personave të tjerë juridikë.