Ekzekutoi me plumb në kokë Arjan Gosën, vetëdorëzohet Habib Rexha

Është vetëdorëzuar në polici Habib Rexha, autori i dyshuar i vrasjes së Arjan Gosës dy ditë më parë në Kavajë.

Ai ishte shpallur në kërkim që prej ditës së diel dhe policia kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jepte informacion për vendnndodhjen e tij.

Njoftimi

Kavajë- Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se:

Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi.

Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Arjan Gosa u ekzekutua me plumb në kokë teksa ishte duke konsumuar kafe me të atin në një lokal në Kavajë. Shkak i ngjarjes dyshohet se është hakmarrja.

Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili së bashku me Edmond Gosën (vëllain e Arjan Gosës) humbën jetën pas një konflikti banal me njëri-tjetrin./Albeu.com/


Shtuar 23.05.2023 15:48