Policia e Shtetit ka arrestuar disa persona mbrëmjen e djeshme për vepra të ndryshme penale.
Një pjesë e tyre akuzohen për prodhim dhe shitje narkotikësh. Vihet re se nga droga e sekuestruar në cilësinë e provës materiale është prezent edhe një lloj ri droge, që po gjen përdorim të gjerë mes të rinjve.
Bëhet fjalë për drogën Krak, e cila mendohet si mjaft e rrezikshme.
Njoftimi i Policisë:
Vihen në pranga 9 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim, dhe procedohen penalisht 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin në kërkim Xh. Ç., 20 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit F. M., 29 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. U., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij, nga punonjësit e Policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shigjeta”, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit krak, dy thika dhe mjete të tjera që dyshohet se përdoren për konsumimin e lëndës narkotike;
– L. E., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga punonjësit e Policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shigjeta”, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa./albeu.com/