E BUJSHME/ Del Piero president i Juves?

Pas çështjes së Super Ligës që tronditi botën, ndonëse vetëm për 48 orë, figurat më të njollosura dolën ato të presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perezit, por mbi të gjitha ajo e Andrea Anjelit, numrit një të Juventusit.

Pa dyshim që duke parë rëndësinë e klubit bardhezi në Itali, por sigurisht edhe në sistemin e kontinentit të vjetër, kjo figurë e bërë nuk ka lënë një shije të mirë, edhe pse vetë Andrea e theksoi dy ditë më parë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Por, nga ana tjetër, Xhon Elkan, financieri kryesor i familjes Anjeli, drejtuesi i grupit “Exor” po shtyn kushëririn e tij që të hapë krahun, për të larguar kështu presionin e madh nga Juventusi dhe futbollistët që e përbëjnë skuadrën.

DEL PIERO PRESIDENT – Uebsajti “Dagospia”, i specializuar në çështjet investigative ka lëshuar një bombë, e cila konfirmohet edhe nga e përditshmja prestigjioze “Corriere della Sera”. Ideja e Elkan është ajo që të largojë, qoftë edhe për vetëm disa kohë Andrea Anjelin nga roli i presidentit, por ndryshe nga çfarë mendohej, në poltronën drejtuese të mos ulet Alesandro Nasi, një tjetër trashëgimtar dhe pjesëtar i familjes Anjeli, por një figurë sportive, e pastër dhe shumë e dashur për popullin bardhezi si Alesandro del Piero.

Po, pikërisht kështu, kapiteni legjendar shihet nga Elkan si presidenti i ri, ashtu sikurse gjysmë shekulli më parë kishte bërë Xhani Anjeli (xhaxhai i Andreas) me legjendën bardhezi, Xhampiero Boniperti. Për momentin ky lajm bazohet vetëm te burimet e dy mediave në fjalë, por në vazhdim priten konfirmime, ndonëse risitë nuk mbarojnë vetëm këtu…

TREZEGE E MAROTA – Xhon Elkan, gjithsesi nuk kërkon që të ndalet vetëm me zëvendësimin e Andres me Del Pieron. Ideja e tij është edhe largimi i Pavel Nedvedit dhe Fabio Paratiçit, për ta pastruar të gjithë kastën e kupolës aktuale.

Në vend të tyre, njeriu që kontrollon paratë e familjes Anjeli ka zgjedhur rikthimin e Xhuzepe Marotës, i cili përveç detyrës së administratorit të deleguar, do të ndante me David Trezegenë detyrat e drejtorit sportiv.

Marota

Ish-sulmuesi francez tashmë është pajisur me patentën për të kryer këtë detyrë dhe nuk do ta refuzonte kurrsesi ofertën e Elkanit. Shkurt, në Torino fryn një erë revolucioni.


Shtuar 23.04.2021 16:33