e-Albania një kështjellë letre, digjitalizimi nuk është punë Boratësh

Nga Erion Dasho

Më në fund shqiptarët u bindën se çfarë është realisht e-Albania, deri javën e kaluar krenaria e kryeministrit tonë butaforik. Një kështjellë letre që u dorëzua përballë sulmit të parë kibernetik i cili bllokoi gjithë shërbimet digjitale të shtetit shqiptar.

Me mendjelehtësinë e vet karakteristike, Borati dje e deklaroi të fituar “luftën” kundër “armikut të ri të padukshëm” dhe ju rikthye optimizmit të tij të zakonshëm.

Në vitin 2007, Estonia ishte shembulli më i spikatur i digjitalizimit në botë. Në muajin prill të atij viti, pas debatit midis qeverive estoneze dhe ruse rreth një monumenti të luftës së dytë botërore, papritur infrastruktura elektronike e Estonisë u gjend e sulmuar dhe e bllokuar.

Analiza e kryer nga ekipet e profesionistëve estonezë dhe e ndihmuar nga NATO arriti në disa përfundime:

Së pari, u zbuluan sulmuesit madje u identifikua edhe një bashkëpuntor estonez i tyre i cili përfundoi pas hekurave.

Së dyti, gjithë programi i digjitalizimit, i cili deri në atë kohë kishte patur si objektiv zhvillimin ekstensiv, funksionalitetet dhe interoperabilitetin, u fokusua tek siguria kibernetike dhe infrastruktura robuste.

Së treti, NATO e ndihmoi në çdo hap Estoninë dhe nën shembullin e këtij rasti të vetëm, hartoi edhe Manualin e Luftës Kibernetike.

Sot, Estonia është ndër vendet më të digjitalizuara në Europë, por jo vendi i cili rend para të tjerëve. Përkundrazi, është një vend që ka një prej shoqërive më të digjitalizuara, por në të njëjtën kohë edhe vendi shembull i sigurisë kibernetike dhe profesionalizmit.

Sot në Estoni madje është krijuar edhe një ndër komunitetet e parë të qytetarëve digjitalë, një prej koncepteve më bashkëkohorë që mendohet edhe si ndër kulmet e çdo programi digjitalizimi.

Shqipëria e Boratit nuk ka asnjë ngjashmëri me Estoninë, as me atë të vitit 2007 dhe, aq më pak me Estoninë e sotme dhe “lufta” e Boratit është më tepër luftë imagjinare me mullinjtë e erës, sesa një luftë e vërtetë kibernetike.

E-Albania është një vepër amatoreske që ka menduar për ndërfaqet (ekuivalenti i fasadave në fushën e digjitalizimit), por as për arkitekturën, as për infrastrukturën dhe, aq më pak, për sigurinë kibernetike.

Personalisht duke njohur digjitalizimin shëndetësor dhe duke bërë analogjinë për rastin e e-Albania kam vite që flas dhe paralajmëroj se e-Albania është thjesht një kështjellë rëre që do të dorëzohet para sulmit të parë kibernetik.

Dhe kështu ndodhi!

Dyshimi im, madje është, se nuk ka qënë as ndonjë sulm serioz, thjesht një vepër amatorësh, apo një pëllëmbë tallëse që një boksier i peshës së rëndë i jep një kalamani që ngjitet në ringun ku luftojnë profesionistët.

Lehtësia me të cilën AKSHI “zgjidhi” problemin është fyese për këdo që fare pak di rreth sigurisë kibernetike.

Për të patur një e-Albania profesionale nevojiten investime serioze në rendin e miliarda dollarëve, një ekip super-profesional në zbatimin e tyre dhe, mbi të gjitha, që ky projekt të mos shihet si mburrje e politikës, por si projekt zhvillimi kombëtar.

Tenderat e e-Albanias nuk mund të jenë qoka për oligarkët, përndryshe “rrugët digjitale” shemben brenda pak muajsh ashtu sikundër edhe rrugët reale.

Digjitalizimi është punë serioze dhe jo punë boratësh! Sa më parë të kuptohet kjo gjë, aq më mirë për shqiptarët të cilët nuk do të shohin emrat, ditëlindjet, pagat, targat dhe çdo informacion tjetër privat në mexhlis!


Shtuar 19.07.2022 10:35