Reshjet e dendura të shiut vazhdojnë të shkaktojnë probleme të mëdha në Durrës, duke përmbytur rrugët e qytetit dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve.
Disa zona të qytetit janë mbuluar nga uji, ndërsa qytetarët po përdorin qese plastike për të kaluar rrugët. Pamjet e xhiruara tregojnë qytetarët të bllokuar në rrugë dhe stacione, ndërsa karrotrecët po largojnë disa mjete të përmbytura.
Rrugët më të prekura përfshijnë “Mbreti Gert”, “Hysen Kertusha”, “Abaz Çelkupa”, “Neki Libohova”, “Dalip Peza”, “Hysen Myshketa”, “Jahja Ballhysa”, “Vollga”, “Asti Gogoli”, “Mbreti i Arbërit”, “Jusuf Myzyri” dhe disa zona të tjera si Shkozet, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Stacioni i Trenit. Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta ka arritur një nivel kritik, duke shtuar vështirësitë në qytet. Pjesë të sipërfaqeve bujqësore në Sukth gjithashtu janë përmbytur.
Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat përkatëse po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën. Po ashtu, Bashkia e Durrësit njoftoi se po punohet për largimin e ujit nga banesat dhe pastrimin e kanaleve. Aktiviteti portual ka pësuar ndëprerje të herë pas hershme, ndërsa tragetet vijojnë të lundrojnë normalisht. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile paralajmëron se reshjet intensive mund të shkaktojnë probleme edhe në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër.