Delegacioni Evropian në Shqipëri, ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, ku i pranishëm ishte kreu i SPAK, Altin Dumani, si edhe zëvendësdrejtori i njësisë për strategjinë dhe koordinimin e zgjerimit në DG ENEST, Giulio Vennerin.
Mësohet se Dumani gjatë takimit përmendi vështirësitë kryesore me të cilat përballet SPAK, ku ai veçoi mes të tjerash menaxhimin e presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm nga politika, por sidomos nga krimi i organizuar
“Vështirësitë kanë qenë të shtumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendjeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara.
Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar.
Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”, tha Dumani.
Nga ana e tij, Vennerin theksoi se SPAK, është një kontribues i madh në besueshmërinë e Shqipërisë në procesin e pranimit në BE.
“Kur vendet zbatojnë vërtet reformat, BE-ja jep rezultate në këmbim”, tha Venneri.

Postimi i plotë i Delegacionit të BE-së:
Një diskutim i frytshëm javën e kaluar në një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel, Qendra Evropiane e Politikave (European Policy Centre), me Altin Dumanin, Kryeprokuror i Posaçëm i Shqipërisë, dhe Giulio Vennerin, Zëvendësshef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG ENEST), vuri në dukje rolin kyç të SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
“Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik”, u shpreh ai.
Venneri nënvizoi se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ndërtuara mbi arritje konkrete, forcimin e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj”, tha Venneri.
