Doza e tretë e vaksinës bëhet realitet, pas Francës edhe SHBA e aprovojnë, ekspertët: Rrit imunitetin

SHBA ka vendosur që personat me imunitet të dobët të marrin një dozë të tretë të vaksinave Pfizer ose Moderna.

Ky vendim shihet me njëfarë skepticizmi atje, pasi nje pjesë e madhe e amerikanëve nuk kanë kryer ende dozën e parë të vaksinës.

Lajmin e bëri të ditur Agjencia e Ushqimit dhe e Barnave e cila tha se kjo metodë do të zbatohet për disa milionë amerikanë që janë më të djeshëm ndaj virusit për shkak të transplanteve të organeve dhe sëmundjeve të rënda. Ndërkohë që një masë të tillë më parë e kanë marrë Franca, Gjermania dhe Izraeli.

Vendimi është marrë pasi në bazë të studimeve tregohet se një sistem imunitar i cili është mësuar me ilaçe për të luftuar sëmundje të tjera, për të pasur mbrojtje më të madhe duhet të marrë edhe një dozë të tretë.

“Kjo i lejon mjekët të rrisin imunitetin e individëve të caktuar me imunitet të dobët, të cilët kanë nevojë për mbrojtje shtesë nga COVID-19,” tha në një deklaratë Dr. Janet Ëoodcock.

Agjencia e Ushqimit dhe Barnave përcaktoi se ata që kryejnë transplant dhe të tjerët me imunitet njësoj të dobët, mund të marrin një dozë të tretë të vaksinave nga Pfizer dhe Moderna, të paktën 28 ​​ditë pas marrjes së dozës së dytë.

E njëjta masë po diskutohet edhe në Itali dhe me shumë mundësi do të marrë miratimin brenda pak ditësh.

Vendimet e shteteve perëndimore kanë ardhur pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të OBSH-së për të arritur imunitetin e tufës dhe për të dorëzuar doza ekstra për vendet në nevojë.

Vendimi vjen pas përhapjes së variantit Delta të COVID-19 në SHBA, variant i cili ka shtuar infektimet, shtrimet në spital dhe vdekjet.


Shtuar 13.08.2021 12:04