Dosja e gjyqtares Arnisa Këlliçi për rrahjen e bashkëshortit, i kalon për hetim Prokurorisë së Durrësit

Teksa gjyqtarja e Tiranës, Arnisa Këlliçi (Gorezi), po përballet në Durrës me një proces gjyqësor, për shkak se është marrë e pandehur për akuzën e “Kallëzimit të rremë” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, një dosje e dytë kundër saj, është regjistruar në prokurorinë e qytetit bregdetar.

Bëhet fjalë për çështjen penale të dhunës në familje, pasi gjyqtarja Këlliçi, ka ushtruar dhunë ndaj burrit të saj, Klejd Këlliçi, ngjarje e cila është regjistruar në 28 Gusht 2024 nga Komisariati Nr. 3 në Tiranë.

“Ora News” ka mësuar se kallëzimi me Nr. 11585/24 i bashkëshortit të saj Klejd Këlliçi dhe denoncimi për dhunë në familje të bërë edhe nga Arnisa Gëlliçi, është dërguar nga prokuroria e Tiranës për hetime të mëtejshme në prokurorinë e Durrësit.

Vendimi për transferimin e këtij rasti të dhunës në familje nga gjyqtarja Këlliçi, është marrë pak ditë më parë nga prokurori Gjergji Tako, i cili duke konstatuar konfliktin e interesit, pasi Arnisa Këlliçi, është gjyqtare në Tiranë, vendosi të shpallë moskompetencën dhe dosjen penale t’ia kalojë akuzës së Durrësit.

Gjyqtarja Këlliçi, është kallëzuar nga burri i saj Klejd Këlliçi për dhunë në familje, i cili kërkoi në polici që të pajiset dhe me urdhër-mbrojtje prej saj.

Ndërkohë të njëjtën gjë ka bërë dhe gjyqtarja Këlliçi, e cila kallëzoi burrin, Klejd Këlliçi, me pretendimin se ai ushtron dhunë dhe kërkon ta vrasë.

Arnisa ka treguar se bashkëshorti i saj Klejd Kelliçi, e ka kërcënuar pasi kishte biseduar me një mik të vetin, zotin Gert Brojka, që jeton në Itali, i cili ja ka mbush mendjen që duhet të bëjë analizat e ADN-së për fëmijët dhe fëmija jonë i vogël R…., nuk është i veti.

Pas kësaj, gjyqtarja Këlliçi tregon se burri i saj ka filluar shamatën dhe pastaj i ka thënë: “…je e përdalë…”, dhe se i është drejtuar me fjalët: “…Fëmija është i imi, un do të të vras…”.

Ndërkohë, gjyqtarja kishte inskenuar brenda shtëpisë së saj, sikur burri Klejd Këlliçi, ka dashur ta vrasë me thikën e kuzhinës së shtëpisë, gjë e cila nuk është e vërtetë.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një thikë kuzhine mbi divan. Ndërkohë, i pyetur nga policia për këtë moment, Klejdi Kelliçi, pretendon se zonja, e ka vendosur thikën vetë.


Shtuar 14.10.2024 15:10